Luka Modric e ka fituar çmimin për ‘Futbollistin më të mirë të vitit’ nga UEFA.
Ai u zgjodh para konkurrentëve të tij, Cristiano Ronaldo dhe Mohamed Salah, në evenimentin e mbajtur të enjten (30 gusht) në Monako.
🌟 UEFA Men's Player of the Year 17/18 🌟
🥇 Congratulations, Luka Modrić! 🎉#UEFAawards #UCLdraw pic.twitter.com/6xSHck2v7d
— UEFA Champions League (@ChampionsLeague) August 30, 2018
Çfarë është çmimi i UEFA-s për Lojtarin e vitit
Ky çmim vlerëson lojtarët më të mirë nga sezoni paraprak, pavarësisht kombësisë, të cilët luajnë në një klub brenda territorit të UEFA-s. Lojtarët vlerësohen nga paraqitjet e tyre në të gjitha garat – vendore, kontinentale dhe ndërkombëtare.
Lista e ngushtë prej tre futbollistëve është zgjedhur nga një juri që përbëhej prej 80 trajnerëve të klubeve pjesëmarrëse në fazën grupore të edicionin 2017/2018, në Ligën e Kampionëve (32) dhe Europa League (48), së bashku me 55 gazetarë të zgjedhur nga grupi European Sports Media (ESM), që përfaqësojnë një nga federatat anëtare të UEFA-s.
Anëtarët e jurisë i kanë zgjedhur top-tre lojtarët e tyre duke i dhënë të parit – pesë pikë, të dytit – tri pikë dhe të tretit – një pikë. Trajnerët nuk kanë mundur të votojnë për lojtarët në ekipet e tyre.
Suksesi i tre të nominuarve
Luka Modric (Real Madrid dhe Kroaci)
Fitues i Ligës së Kampionëve, finalist në Kampionatin Botëror dhe fitues i Topit të Artë në Botëror.
Cristiano Ronaldo (Real Madrid/Juventus dhe Portugali)
Fitues i Ligës së Kampionëve për një rekord prej pesë triumfesh dhe golashënues më i mirë i Ligës së Kampionëve për të gjashtën herë.
Mohamed Salah (Liverpool dhe Egjipt)
Finalist i Ligës së Kampionëve dhe thyes i shumë rekordeve në sezonin e tij të parë te Liverpooli.
/Telegrafi/