Telegrafi

Modelja që e akuzoi Amr Wardan për ngacmim, thotë se ka marrë kërcënime të shumta

Një modele britaniko-egjiptiane thotë se ajo është bërë një figurë e urrejtjes dhe ka frikë se mund të sulmohet nëse kthehet në Egjipt, për shkak të ngacmimeve seksuale që kishte përjetuar nga lojtari i Egjiptit, Amr Warda.

Merhan Keller pretendon se ka marrë mijëra mesazhe kërcënuese, pasi ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah, shkroi në llogarinë e tij në Twitter në lidhje me shokun e tij te kombëtarja e Egjiptit dhe e ndihmoi atë që të rikthehej sërish në skuadër për Kupën e Kombeve të Afrikës.

Warda ishte dërguar në shtëpi nga turneu për shkak të akuzave për ngacmim nga disa femra, gjersa kishte pranuar se kishte shkëmbyer mesazhe intime me 28-vjeçaren në rrjetet sociale.

Warda kërkoi falje për veprimet e tij me një video mesazh në faqen e tij zyrtare në Facebook. Ndërkaq, Salah ishte njëri ndër lojtarët që ka folur për incidentin, duke dënuar sjelljen e Wardas, por duke këmbëngulur se ai nuk duhej të ishte linçuar nga masa.

Ai shkroi në Twitter : “Gratë duhet të trajtohen me respekt të plotë. ‘Jo do të thotë jo’. Këto gjëra janë dhe duhet të mbeten të shenjta. Unë gjithashtu besoj se shumë njerëz që bëjnë gabime mund të ndryshojnë për të mirë dhe nuk duhet të linçohen, e cila është mënyra më e lehtë për të bërë. Ne duhet të besojmë në shanset e dyta… duhet të udhëheqim dhe edukojmë. Shmangia nuk është përgjigja”.

Keller ka bërë të ditur se ajo i ka publikuar mesazhet e lojtarit të kombëtares së Egjiptit dhe tani po merr shumë kërcënime nga tifozët atje.

Ajo më tej ka shtuar se Salah nuk duhej të hynte në këtë mes dhe se Amr Warda është plotësisht fajtor, pasi e kishte ngacmuar seksualisht edhe para disa muajsh. /Telegrafi/

Amr Warda (Foto: Kevin C. Cox/Getty Images/Guliver)