Site icon Telegrafi

MKRS-ja ndan afër 80 mijë euro në përkrahje të trajnerit Driton Kuka

Në bazë të rregullores për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve, e cila parasheh përkrahjen financiare të tyre, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar sot memorandume bashkëpunimi me trajnerin Driton Kuka, dhe sportistët Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova, Shpat Zeka, Erza Muminoviq dhe Laura Fazliu.

Trajneri Kuka në bazë të memorandumit mbështetet financiarisht për këtë vit në vlerën prej 26 mijë e 625 euro, me qëllim të realizimit të objektivave dhe synimeve duke i shfrytëzuar mjetet për realizimin e politikave programore të avancimit të sportit cilësor. Ndërsa, sportistët u mbështetën veç e veç sipas shumave në vijim: Majlinda Kelmendi me 15 mijë euro, Nora Gjakova me 9 mijë euro, Distria Krasniqi me 7 mijë e 500 euro, Loriana Kuka me 6 mijë e 750 euro, Akil Gjakova me 6 mijë e 750 euro, Shpat Zeka me 3 mijë e 750 euro, Erza Muminoviq me 3 mijë euro dhe Laura Fazlia me 1 mijë e 500 euro. Sportistët, mjetet duhet t’i shfrytëzojnë për aktivitete dhe përgatitje sportive.

Me këtë rast, ministri Gashi, vlerësoi se kjo përkrahje e MKRS-së për trajnerin Kuka dhe sportistët vjen në bazë të rezultateve që ata kanë treguar dhe që i kanë sjellë vendit tonë medalje dhe kanë ngritur flamurin e Republikës së Kosovës anekënd Botës.

“Është një ditë e veçantë edhe për mua si ministër, për Qeverinë e Republikës së Kosovës por dhe për vet shtetin që e kemi një mundësi për të mbështetur edhe financiarisht ata të cilët pothuajse çdo vikend po na bëjnë krenarë me rezultate dhe me medalje të ndryshme që po i sjellin pothuajse në të gjitha garat që po realizohen edhe në Evropë por edhe përtej Evropës”, tha ministri Gashi.

Ministri Gashi po ashtu theksoi se “është obligim i yni si shtet t’i rrimë karshi një pune të shkëlqyeshme që po e bënë trajneri bashkë me sportistët dhe për mua si ministër dhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës është nder dhe kënaqësi që t’i mbështesim në vazhdimësi ata të cilët po e mbrojnë më së miri flamurin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë po e promovojnë shtetin e ri të Kosovës në të gjitha garat nëpër botë”.

Përveç tjerash, ministri foli edhe për sukseset e sportistëve të pranishëm e veçanërisht të Majlinda Kelmendit. “Ndihem shumë i lumtur që kemi pasur një rikthim shumë të fuqishëm të Majlindës në ngjarjet e fundit sportive dhe besoj që me këtë trend të cilin Majlinda e ka nisur do të përfundon edhe në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” për të cilat edhe si shtet por edhe si klub i xhudos jemi të fokusuar të dalim sa më mirë”, tha ai.

Gjatë kësaj ceremonie, ministri foli edhe për ndërtimin e objektit të sportit të xhudos duke thënë se është jashtëzakonisht i pakënaqur me veprimet e Komunës së Pejës e cila ende nuk e ka përcaktuar vendin për ndërtimin e objektit.

“I bëj thirrje kryetarit të Komunës së Pejës dhe strukturave komunale që përfundimisht ta përcaktojnë lokacionin për ndërtimin e objektit të xhudos sepse Ministria e Sportit i ka mjetet e ndara dhe është shumë e interesuar që sa më shpejtë të fillojmë ndërtimin e këtij objekti për përgatitje por në të njëjtën kohë për organizimin e garave të ndryshme”, potencoi ministri Gashi.

“Ministria dhe unë si ministër do të jemi në mbështetje tuajën të vazhdueshme sepse ju jeni krenaria e sportit, krenaria e Pejës, e Kosovës por edhe e të gjithë shqiptarëve anembanë”, përfundoi ministri.

Ndërkaq trajneri Kuka u shpreh shumë i kënaqur dhe falënderues për nënshkrimin e këtyre memorandumeve dhe fillimisht përgëzoi ministrin për punën e tij për sportin dhe sportistët e “sidomos për finalizimin e kategorizimit të sportit, sportistëve dhe trajnerëve duke theksuar e keni kthyer dinjitetin te sportistët të cilët me të vërtetë po na bëjnë krenarë”.

“Në emër të Federatës së Xhudos por sidomos në emër të këtij komuniteti sportiv dhe të këtyre sportistëve elitarë jam falënderues ndaj punës tuaj dhe këtë po e them si rrjedhshmëri e një bashkëbisedimi tonë”, tha trajneri Kuka.

“Këtu janë tetë sportistë që i kanë prekë medaljet e kampionateve evropiane, botërore e të Lojërave Olimpike të rritur me një ambient shumë të vogël duke shpresuar gjithmonë që Qendra Nacionale ka me i mbledh fëmijët e të gjitha trevave shqiptare”, theksoi trajneri Kuka.

Ai po ashtu përmendi neglizhimin e Komunës së Pejës për përcaktimin e vendit për ndërtimin e objetktit të xhudos duke thënë se pavarësisht kësaj po vazhdojnë të punojnë dhe të përgatiten për Lojëra Olimpike.

“Sot për sot i kemi pesë norma olimpike, i gjithë sporti i Kosovës ka zero normë e komuniteti i xhudos i ka pesë norma olimpike për Tokyo, kjo duhet të potencohet gjithmonë në mënyrë që edhe veprimet e ministrit të arsyetohen gjithmonë”, përfundoi trajneri Kuka.

Ndërkaq në emër të sportistëve foli xhudistja Majlinda Kelmendi e cila fillimisht falënderoi ministrin për punën e tij për sportistët dhe sportin në përgjithësi duke thënë: “Unë dhe të gjithë sportistët që janë këtu ndjehemi më të sigurt dhe më të qetë kur e dimë që e kemi përkrahjen e shtetit dhe që shteti është pas nesh në çdo rrugëtim tonin. Ju japim fjalën që do të vazhdojmë të punojmë, t’ju bëjmë krenarë juve dhe të gjithë shqiptarët anembanë botës kudo që janë”.

Exit mobile version