Rrugëtimin e tij si shkencëtar e nisi në moshën 27-vjeçare, kur nga Kosova u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atje ku për herë të dytë filloi studimet themelore në mjekësi.
Subspecialisti i vetëm i neuropatologjisë klinike, Ekrem Maloku është kthyer për të dhënë kontributin e tij për brezat e ardhshëm në një fushë të mjekësisë, e cila në Kosovë është fushë e pa eksploruar, e shpesh edhe e padëgjuar.
“Nuk është krenari nëse unë mbes i vetmi në këtë fushë për vite të tëra, krenaria më e madhe është nëse ne fillojmë me prodhu edhe të tjerë që kanë me ardh pas meje dhe kanë me ofru këtë shërbim”, thotë doktor Maloku, që verën e vitit 2021 u kthye në Kosovë për të dhënë kontributin e tij e për të përgatitur gjenerata të ardhshme shkencëtarësh.
Rrugëtimi i Ekrem Malokut që punoi me Erminio Costan, njërin nga emrat më të mëdhenj në fushën e neuro-shkencës
Pas përfundimi të studimeve në Kosovë, ai filloi punën si staf akademik në Universitetin e Prishtinës, por vullneti për të avancuar tutje, e bëri të merrte rrugën drejt Amerikës.
“Për shkak të kufizimeve që i kishim këtu, për t’i aplikuar ato që i kishim në mendje, sidomos po flas për pjesën shkencore, e kam menduar që atë pjesë ta përmbushi diku tjetër”, thekson Maloku.
Rrugëtimi i tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisi në Universitetin e Illinois në Çikago, ku pati fatin ta ketë një pozitë, duke qenë se aty kërkohej dikush pa përvojë në shkencë, aty ku edhe nisi publikimet e tij të para shkencore në revista prestigjioze, ku tash numëron mbi 15 të tilla.
Doktor Ekremi nuk u nis nga Kosova me qëllim që të mbetet për një kohë të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje shkoi për të qëndruar vetëm dy vjet e të kthehej në Kosovë.
Ishte njëri ndër emrat më të mëdhenj në fushën e neuroshkencës, doktor Erminio Costa, motivuesi kryesor që e nxiti të vazhdonte tutje, e të mos kthehej në Kosovë pa u profesionalizuar edhe në një fushë tjetër.
Por, për të bërë këtë atij i nevojitej të hynte edhe njëherë në të gjitha provimet që tashmë i kishte përfunduar në Kosovë.
“Atëherë duhej ta filloja një rrugëtim tjetër, që është rrugëtimi i të qenit mjek në ShBA, e që nuk kisha njohuri në atë kohë. Kur mora informacione e kuptova që duhet t’i përfundoja edhe njëherë të gjitha provimet e mjekësisë që faktikisht i kisha përfunduar edhe njëherë”, tregon Maloku për Telegrafin.
Pas përfundimit të provimeve atje, Ekrem Maloku në përgatitje profesionale ishte ekuivalent me një student që ka përfunduar mjekësinë e që ka të drejt të specializojë, gjë të cilën edhe e bëri.
Vendimi për kthim në Kosovë pasi mori titullin ekspert i neuro-patologjisë
Me një përgatitje të tillë profesionale, ashtu siç ishte edhe qëllimi i tij kur u nis nga Kosova për në ShBA, ai mori rrugën e kthimit për në vendlindje, me vullnet e plot motiv për të dhënë kontributin e tij për qytetarët e Kosovës, e sidomos për studentët kosovar të mjekësisë.
“Problemi më i madh është te njeriu. Kur e analizon në tërësi, neve nuk na mungon asgjë, është e para komponenta njeri dhe e dyta një vetëdijesim ma i madh i institucioneve tona, më specifik Ministrisë së Shëndetësisë e cila i dizajnon planet afatgjate, për me preventu një e fenomen që vazhdimisht përmendet, por nuk e di sa është adresuar me seriozitet në këto vitet e pasluftës, është fenomeni i ikjes së pacientëve…. që janë të detyruar që shumë prej shërbimeve që nuk ofrohen në vendin tonë, të shkojnë e të kërkojnë ndihmë edhe në disa vende që nuk janë më shumë se 80 km larg nesh, për të kërkuar ndihmë për të qartësuar diagnozën, ose për intervenime. Po e zëmë rastet pediatrike, shumë prej tyre nuk munden me u adresu në Kosovë, një pjesë janë të detyruar të shkojnë në Shqipëri e një pjesë tjetër në Turqi”, shprehet Maloku.
Ligjëratat profesionale të tij nuk i ka kursyer asnjëherë e posa mori titullin e ekspertit të fushës, ai filloi të mendonte edhe më seriozisht për kontributin që mund ta jepte në vendin tonë.
Neuropatologu Maloku tha se për secilën fushë duhet të jetë dikush që promovon shërbimin.
“Për çdo fushë nevojitet me qenë dikush që e promovon shërbimin. Jam munduar të kontribuoj në Kosovë, por në momentin që e kam përfunduar trajnimin tim në neutopatologji, dhe kam marrë titullin e ekspertit në këtë fushë të caktuar atëherë në atë moment më është krijuar një shtytje edhe seriozitet më i madh se çka mundemi me bo që këto shërbime me i fut në përdorim edhe në vendin tonë, që të ketë përfitim jo vetëm pacienti por edhe ai që trajnohet brenda një Klinike Universitare.
Nuk është krenari nëse unë mbes i vetmi në këtë fushë për vite të tëra, krenaria më e madhe është nëse ne fillojmë me prodhu edhe të tjerë që kanë me ardh pas meje dhe kanë me ofru këtë shërbim. Edhe si e vetmuar është vështirë me i përmbushë kërkesat e mëdha, por përfiton edhe vendi sepse shumë prej këtyre shërbimeve pacientët janë të detyruar të paguaj para të mëdha prej xhepit, e edhe ministria ndanë para përmes fondit”, thekson ai.
Një plan për t’i kthyer profesionistët kosovarë të shpërndarë nëpër botë
Këshillat nuk i ka kursyer as për institucionet shtetërore, duke shtuar se një plan specifik për profesionistët e shpërndarë në tërë botën, që janë larguar nga Kosova do t’i kthente ata në vendin tonë për të kontribuar.
Madje, siç tha ai me kontaktet që ka me mjekë të ndryshëm, ata kanë vullnet të vijnë të japin kontributin e tyre e të përcjellin përgatitjen e tyre profesionale edhe te brezat e rinj.
“Qasja duhet të jetë që të identifikohen të gjithë ato resurse humane, brenda e jashtë Kosovës, të bëhemi bashkë e t’i adresojmë këto probleme. Unë besoj që ministria duhet të bëj punë më të madhe me i vendosë në fokus këta ekspertë të shpërndarë nëpër botë. Mundem me ju garantu, me aq sa kam kontakte, vullneti i njerëzve për me bo sene të mira dhe me dhënë kontribut në vendin tonë.
Faktikisht unë mendoj që kjo puna e kthimit është për shumicën e njerëzve, ata që nuk kanë lind jashtë, është gërryerje e brendshme për secilin profesionist, infermier, mjekë, shkencëtarë. Na i vërejmë vetëm kur dalin në televizione. Nëse kemi evidencë të plotë të atyre dhe krijojmë plane specifike, mundemi të bëjmë shumë, vetëm nevojitet seriozitet më i madh prej atyre që janë kompetentë për ta shtyrë këtë përpara”, tha Maloku për Telegrafin.
Por, cili është roli i neuro-patologut?
Duke qenë se në Kosovë e ndoshta edhe në rajon, neuro-patologjia nuk është fushë që njihet e përmendet shumë, Ekrem Maloku gjatë intervistës për Telegrafin me terma të thjeshtë ka sqaruar se cili është roli i tij në mjekësi.
“Është një fushë kryesisht e re në komunitetin tonë, në Shtetet e Bashkuara është një komunitet prapë se prapë i vogël i neuropatologëve kur ta marrësh në tërësi. Mirëpo në vendin tonë nuk ka ekzistuar si profil. Neuropatologjia si fokus e ka diagnozën e sëmundjeve të sistemit nervor. Çdo gjë që që lidhet me trurin e palcën e kurrizit, me muskuj e nerva. Ne jemi në kontakt të ngushtë, jemi pjesë e ekipit që trajton një pacient”, shpjegon Maloku.
Sipas tij, nëse një pacient i caktuar paraqitet me simptoma për një sëmundje të sistemit nervoz, në rastin më të keq, tumor në tru, pas procedurave te mjeku familjar, pastaj neurologu, e kur vjen të dyshimi që mund të ketë masë tumorale në tru, bëhet incizimi i caktuar dhe neuroradiologu e lexon rezonancën magnetike, ku thotë që është një masë, e jep diagnozën diferenciale, mirëpo nuk ka informacione ende se për çka bëhet fjalë.
“Në këto raste për të sqaruar diagnozën, duhet intervenimi i neurokirurgut, ku këtu fillon përfshirja jonë në procesin e diagnostikimit. Neurokirurgu e hap kafkën, trurin edhe tenton me marrë një pjesë të indit, që ne e emërtojmë si biopsi, e derisa pacienti është i shtrirë në sallën operative ne jemi të gatshëm që neurokirurgut me i ofruar ndihmë për të qartësuar diagnozën. E marrim atë pjesë e analizojmë dhe brenda 20 minuta jemi në gjendje neurokirurgut t’i ofrojmë një rezultat preliminar. Nëse i themi se bëhet fjalë për tumor, atëherë ai e ka të qartë që duhet të bëj eliminimin e tumorin”, shpjegoi Maloku për Telegrafin.
Megjithëse nga ShBA-të nuk është e mundur të shkëputet tërësisht, duke qenë se duhet të vazhdojë të përcjellë më të rejat nga kjo fushë, por në shumicën e kohës ai do të jetë në Kosovë.
Ai ka nisur aktivitetin e tij tash e disa ditë në Prishtinë, ku në poliklinikën e hapur ka mbledhur një ekip të madhe mjekësh dhe të shtyjë përpara disa nga fushat specifike të mjekësisë.
“Unë shpreh vullnetin tim në bashkëpunim me institucionet në Kosovë, ku kam filluar me disa grupe me punu edhe në Ministri të Shëndetësisë dhe jam në dispozicion për të dhënë kontributin në fushën time”, tha Maloku. /Telegrafi/