Site icon Telegrafi

Mjeku kujdestar jep detaje për aksidentin e rëndë në Ferizaj: Katër viktimat, përfshirë edhe një fëmijë udhëtonin me veturën Golf 2

Mjeku kujdestar në QKMF-në e Ferizajt, Bajram Ajeti ka dhënë detaje për aksidentin e rëndë ku kanë humbur jetën katër pacientë.

“Rreth orës 15:30 kemi marrë informatën se ka ndodhur një aksident i rëndë. Me të arritur në vendngjarje kemi parë që janë aksidentuar dy vetura. Në veturën e tipit Golf 2 kanë qenë pesë persona dhe në veturën tjetër të tipit Audi kanë qenë 2 persona. Në vendin e ngjarjes kemi marrë një person me lëndime të rënda dhe kemi konstatuar vdekjen e katër personave tjerë. Që të gjithë kanë qenë në veturën e tipit Golf 2. Personat në tipin Audi kanë marrë lëndime pak më të lehta dhe iu është dhënë ndihma në QKMF-në e Ferizajt e më pas janë liruar në shtëpi”, tha Ajeti në RTV Dukagjini, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu ​Aksidenti tragjik në Koshare të Ferizajt, ndalohet një person

“Ndër katër personat që kanë humbur jetën kanë qenë një mashkull rreth moshës 40 vjeçare, një fëmijë rreth moshës 12 vjeçare, dhe dy femra njëra e moshës rreth 60 vjeçare dhe një tjetër rreth moshës 30 vjeçare. Personi i pestë që është transportuar në QKUK ka qenë rreth 20 vjeçar dhe ka pasur fraktura të shumta dhe po ashtu lëndime të shumta që janë rikuperuar në QKMF dhe është dërguar në gjendje stabile në QKUK – Prishtinë”, deklaroi ndër të tjera mjeku kujdestar Bajram Ajeti.

Ndryshe, një person është ndaluar sot për 48 orë nën dyshimet se ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik, ka bërë të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm.

/Telegrafi/

Exit mobile version