Profesori Karol Sikora, mjek britanik i specializuar për onkologjiki dhe njëherit këshilltar në OBSH, pretendon se vetëm 10 për qind e njerëzve të infektuar me coronavirus, do të zhvillojnë antitrupa.
“Shumica e qytetarëve në testin e antitrupave do të marrin rezultate negative, madje edhe ata që ishin prekur nga coronavirusi”, shtoi ai, transmeton Telegrafi.
Kjo pakicë siç i quan profesori Sikora “do të jenë imun dhe të privilegjuar” apo “Covid elita”, që do të mund të rikthehen në vendet e tyre të punës dhe të udhëtojnë. Pjesa tjetër nuk do të kenë antitrupa dhe privilegjet e 10 përqindëshit.
Ai tha se jo të gjithë që kanë pasur coronavirusin do të prodhojnë antitrupa, duke pretenduar se një gjë e tillë do të konstatohet në testet e bëra pasi që çdo njeri përdor përgjigje të ndryshme imunitare ndaj sulmit të coronavirusit.
Disa pjesë të sistemit imunitar të njeriut edhe sot janë mister për shkencëtarët, ku pikërisht për këtë nuk do të mund të zbulohen ndryshimet në epidemi dhe as të konstatohet me siguri se kush e ka pasur virusin e kush jo.
“Nëse keni antitrupa, mund ta konsideroni veten të privilegjuar apo “Covid elita”. Për ju nuk vlejnë masat mbrojtëse sepse jeni të sigurtë të udhëtoni dhe të riktheheni në punë, gjithashtu nuk do të bartni virusin tek të tjerët”, shtoi profesori britanik.
Megjithatë, sipas tij do të jetë vetëm 10 për qind e rasteve të tilla. Ekzistojnë shumë sisteme mbrojtëse imunitare që nuk mund të maten dhe të detektohen. Sistemi imunitar është shumë i sofistikuar, dhe se ende nuk dihet se si në të vërtetë funksionon në veçanti në rastin e coronavirusit.
“Ekziston kjo gjë që në e quajmë materia e hollë imunitare që ne nuk e kuptojmë, por e dimë që ekziston dhe na mbron. Mund të themi se është pikërisht mbrojtja jonë më e madhe ndaj virusit”, shtoi Sikora. /Telegrafi/