Një aeroplan plot me pasagjerë që po udhëtonte nga Katari në drejtim të Ugandës, “shpërtheu” nga duartrokitjet pasi një mjeke kanadeze arriti të asistoj lindjen e një foshnje.
Ishte pikërisht Dr. Aisha Khatib, profesoreshë në Universitetin e Torontos që iu përvesh punës dhe iu përgjigj thirrjes urgjente nga personeli i aviokompanisë Qatar Airways, që njoftoi se kanë nevojë për intervenim profesional, transmeton Telegrafi.
“Pashë turmën e njerëzve që ishin mbledhur përreth pacientes. Sapo u afrova pashë një grua të shtrirë në ulëse dhe kokën e mbante lart. Foshnja thjesht po dilte”, tha Khatib për BBC.
Ajo u asistua nga dy pasagjere tjera – një infermiere në onkologji dhe pediatri i organizatës jofitimprurëse Mjekët Pa Kufij.
“Pashë se foshnja dhe nëna ishin mirë, dhe pa u menduar i thash “urime, është vajzë”. Më pas i tërë aeroplani filloi të duartroket dhe brohoras”, shtoi mjekja kanadeze.
Gruaja që solli në jetë vajzën ishte një punonjëse-imigrante, që po kthehej në shtëpi (Ugandë) nga Arabia Saudite për ta lindur fëmijën e parë, që e pagëzoi me emrin e mjekes që e asistoi në lindje – pra Khatib. /Telegrafi/