Site icon Telegrafi

Mjekët zhvillojnë mjetin me Al i cili parashikon efektet anësore te pacientët me kancer gjiri

Mjekët kanë zhvilluar një mjet me Inteligjencë Artificiale (Al) i cili mund të parashikojë se cilët pacientë me kancer gjiri janë më të rrezikuar nga efektet anësore pas trajtimit.

Në mbarë botën, 2 milionë gra diagnostifikohen çdo vit me këtë sëmundje, e cila është më e zakonshme te femrat në shumicën e vendeve.

Ndërgjegjësimi më i madh, zbulimi i hershëm, dhe një gamë e gjerë opsionesh trajtimi kanë përmirësuar normat e mbijetesës vitet e fundit, por shumë pacientë përjetojnë edhe efekte anësore pas trajtimit.

Së fundmi, një ekip ndërkombëtar mjekësh, shkencëtarësh, dhe studiuesish, kanë krijuar një mjet me Al që mund të tregojë se sa ka gjasa që një pacient të ketë probleme pas operacionit dhe radioterapisë.

Bëhet e ditur se kjo teknologji është duke u testuar në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, dhe Holandë, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

“Fatmirësisht, shkalla e mbijetesës nga kanceri i gjirit vazhdon të rritet, por disa pacientë jetojnë me efekte anësore edhe pas trajtimit të tyre. Këto përfshijnë ndryshime të lëkurës, limfedemën apo ënjtje të dhimbshme të krahut, dhe dëmtim të zemrës nga rrezatimit”, tha Dr. Tim Rattay, kirurg dhe profesor i asociuar në Universitetin e Leicesterit.

“Kjo është arsyeja pse ne po zhvillojmë një mjet me Al për të informuar mjekët dhe pacientët për rrezikun e ënjtjes kronike të krahut. Shpresojmë që kjo të reduktojë efektet anësore te të gjithë pacientët”, shtoi Rattay.

Mjeti me Al është trajnuar për të parashikuar limfedemën deri në tre vjet pas operacionit dhe radioterapisë. Pastaj pacientëve që zbulohet se janë në një rrezik më të lartë, mund t’u ofrohen trajtime alternative ose mbështetje shtesë.

Ekipi hulumtues po shpreson të regjistrojë 780 pacientë si pjesë e një prove klinike të quajtur Pre-Act. Gjithashtu, ata po trajnojnë mjetin për të parashikuar edhe efekte të tjera anësore si dëmtimi i lëkurës dhe zemrës.

Në zhvillime tjera, studiuesit kanë zbuluar se përdorimi i tomografisë së kombinuar u mundësoi mjekëve të dallonin se tumori i një pacienti kishte filluar të përhapej.

Kjo do të thotë se ata do mund të përfitojnë nga trajtime alternative si kimioterapia. /Telegrafi/

Exit mobile version