Site icon Telegrafi

Mjekët kosovarë shpikin një produkt të ri, e patentojnë në Evropë

Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se për herë të parë mjekët nga Kosova kanë patentuar një produkt inovativ në Evropë. Pajisja që është shpikur përdoret në shumicën e lëmive kirurgjike dhe qëllimi i saj është thithja e lëngjeve gjatë procedurave kirurgjike. 

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu gjatë konferencës për medie ka njoftuar se doktor Enver Hoxha, është mjeku që ka patentuar këtë produkt në Gjermani.

Sejdiu theksoi se tashmë është hapur dera për t’i përkrahur inovatorët në sektorin e mjekësisë.

“Besoj që në të ardhmen kjo do të jetë një shtytje. E falënderoj dr.Enverin që e ka thyer barrierën e mos-pasjes qasje në inovacione, në regjistrime të patentimit të sukseseve nga ana e kolegëve tonë. Mendoj se kjo do të jetë një shtytje”, tha Sejdiu.

Ndërkaq, Enver Hoxha, doktori që ka shpikur pajisjen, ka thënë se njëra ndër avantazhet e shpikjes së tyre është që mund të përdoret në të gjitha vendet, pavarësisht nëse vendet janë të varfra apo të pasura.

Ai tha se kjo pajisje është shumë praktike dhe nuk ka kosto të lartë.

Kirurgu Hoxha po ashtu u shpreh se për këtë shpikje të tij nuk ka hasur në mbështetje të askujt.

“Pajisja e cila është shpikur përdoret në shumicën e lëmive kirurgjike, qëllimi i saj është thithja e lëngjeve. Në kuadër të këtij patentimi janë dy modele të të njëjtit funksion. Avantazhi i kësaj pajisje është se mund të përdoret në të gjitha nivelet e zhvillimit ekonomik si në botën e zhvilluar por edhe vendet e varfra, do të jetë shumë praktike dhe besoj që kompanitë në perëndim do ta marrin për ta zhvilluar, por shpresojmë që në të ardhmen e afërt edhe këtu ndonjë pajisje tjetër do të patentohet dhe do zhvillohet. ”, tha Hoxha.

“Kam edhe disa projekte tjera por që ato kërkojnë një teknologji më të avancuar për t’i bërë të arritshme, kështu që kjo ka qenë një ndër më të thjeshtat, por të mundshmet për tu zhvilluar në Kosovë. Sakrifica e puna ka qenë e madhe për shkak sepse nuk kam pasur mbështetje materiale nga askush, është dashur vetë nga fondi familjar i kursimeve”, theksoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version