Telegrafi

Mitsotakis: Evropa nuk mund të mbështetet vetëm tek SHBA-ja për mbrojtje

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka përshëndetur “angazhimin e qartë” nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s për të shpenzuar të paktën 2% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes, duke shtuar se vendet evropiane nuk mund të “mbështeten vetëm” te SHBA-ja për mbrojtjen e tyre.

“Greqia e ka bërë këtë për shumë e shumë vite dhe unë jam i lumtur të shoh se vendet e tjera, të cilat gjatë viteve të fundit nuk kanë shpenzuar aq shumë sa duhet për mbrojtjen, po fillojnë ta bëjnë”, tha ai në një fjalim të gjerë për CNN.

Kryeministri tha se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes është një çështje e rëndësishme për evropianët, sepse sipas tij “nuk mund të mbështetemi vetëm tek SHBA-ja për mbrojtjen tonë, sepse ne gjithashtu duhet të shpenzojmë më shumë si Evropë”.

Ai shtoi se “ndoshta 2% nuk ​​mjafton në këtë peizazh gjeopolitik në ndryshim”, duke iu referuar Ukrainës.

“Evropa do të duhet të marrë në konsideratë një objekt mbrojtjeje që do të komplimentojë fuqinë tonë financiare me më shumë para evropiane”, tha Mitsotakis, duke iu referuar propozimit që ai ka bërë me kryeministrin polak, Donald Tusk, për të krijuar një “kupolë të hekurt” ose një mburojë të përbashkët kundërajrore evropiane.

Ai u pyet edhe për shqetësimet e shprehura në lidhje me përshtatshmërinë e Joe Biden për t’u rizgjedhur si president i SHBA-së, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Biden kishte një prani të theksuar në samit dhe foli me elokuencë për tema të rëndësishme, por zgjedhjet në SHBA janë një çështje për qytetarët amerikanë”, tha kryeministri grek.

Ai gjithashtu tha se se e kuptonte konfuzionin për incidente të tilla si momenti kur Biden ngatërroi liderin ukrainas, Volodymyr Zelensky, me presidentin rus Vladimir Putin.

Përsa i përket Ukrainës, Mitsotakis theksoi se në kuadër të takimit ishte e qartë se rruga e integrimit të vendit në NATO është “e pakthyeshme”, siç është edhe mbështetja e ofruar nga vendet anëtare.

Lidhur me ngritjen e së djathtës ekstreme në nivel europian, Mitsotakis theksoi se partitë e qendrës kanë shumicën në Parlamentin Evropian, gjë që do të konfirmohet edhe me zgjedhjen e Ursula von der Leyen për një mandat të ri në Komisionin Evropian.

Ai shtoi se frika nga ngritja e ekstremit të djathtë në nivel evropian mund të jetë e ekzagjeruar.

Ndërkohë që Mitsotakis pranoi arsyet pse qytetarët i drejtohen partive të tilla, si shqetësimi i tyre për rritjen e kostos së jetesës, apo emigracionin, këto parti ofrojnë zgjidhje të thjeshta për probleme të tilla.

Duke folur rreth turizmit dhe nëse Greqia dhe mjedisi mund të përballojnë një fluks turistësh që përfaqëson trefishin e popullsisë së saj, Mitsotakis tha se njerëzit që vizitojnë Greqinë kalojnë mirë, prandaj kthehen përsëri.

“Por është detyrë e jona të sigurojmë që industria e turizmit të mbrohet nga ndryshimet klimatike dhe një nga prioritetet tona kryesore është përhapja e sezonit turistik në mënyrë që të mos shfaqen të gjithë turistët në ishujt tanë në korrik dhe gusht”, tha ai.

Lidhur me titujt në mediat e huaja për “punë gjashtëditore”në Greqi, Mitsotakis tha se “është një mit”.

“Ne kemi një nga sistemet më të sofistikuara dhe moderne të mbrojtjes së punës në Evropë”, tha ai. /Telegrafi/