E konsideruar si luftanija më e madhe e kohës së saj, “Vasa” u përmbyt brenda 20 minutave të udhëtimit të saj të parë. Gati 400 vjet më vonë, askush nuk e di pse.
Kur ajo lundronte nga Gjiri i Stokholmit në vitin 1628, “Vasa” ishte luftanija më teknologjike e kohës. E ndërtuar në kohën e Mbretit Gustav II Adolf, ishte 68 metra e gjatë dhe mbante 64 topa zjarri. Kjo luftanije është një nga shembujt më të hershëm të një anijeje luftarake me dy kuverta të plota me armë.
Ditët e lavdishme të kësaj anije, të dekoruara bukur, nuk zgjatën shumë, pasi 20 minuta në udhëtimin e saj, anija u mbyt, duke vrarë 30 pasagjerë të saj.
“Vasa” qëndroi në fund të detit për rreth tre shekuj, derisa arkeologët zbuluan anijen, duke e rivendosur dhe shfaqur atë në atë që është bërë muzeu më i vizituar në të gjithë Skandinavinë.
Historia e fundosjes së shpejtë të Vasës njihet si një nga dështimet më kolosale dhe misteret më të mëdha në historinë detare arkitekturore. Pas një erë të fortë, anija u përkul anash dhe filloi të mbushej me ujë përmes porteve të hapura të topave. Ajo u përmbyt në udhëtimin e parë duke e bërë publikisht “Vasan” si një katastrofë kombëtare. Pas fundosjes së papritur, një kërkim përcaktoi që anija ishte e paqëndrueshme, e arsyet e paqëndrueshmërisë ende po diskutohen sot.
Disa historianë besojnë se anija ishte projektuar gabimisht, të tjerë arsyetojnë se pesha e fuqisë së zjarrit të anijes ishte shpërndarë në mënyrë jo të duhur. Por, ndërsa anija ishte zhytur para gati 300 vjetësh, në një farë mënyre arriti të mbetet e ruajtur mrekullisht.
Kur u ndërtua, “Vasa” ishte zbukuruar me gdhendje të ndërlikuara prej druri që tregonin histori për familjen mbretërore suedeze. Për shkak të ujit të ftohtë, të varfër me oksigjen të Detit Baltik, anija u mbrojt nga bakteret dhe krimbat që zakonisht tretin mbetjet prej druri. Kur u tërhoq nga gjiri në vitin 1961, ekspertët vlerësuan se 98 për qind e drurit origjinal të anijes ishte akoma i paprekur, duke e bërë atë anijen më të ruajtur në botë të shekullit XVII. Tani anija, e cila ndodhet në Muzeun Vasa të Stokholmit, është në rrezik të ketë përsëri “fatin e keq”.
Brenda mureve të muzeut, anija ka filluar të “përkulet anash”, rreth një milimetër në vit drejt tokës. Por, ekspertët nuk do të lejojnë që historia të përsëritet – anija po pëson riparime për të siguruar që ajo do të ruhet për brezat e ardhshëm.