Shkrimi që Telegrafi ua sjell më poshtë, është shkruar nga Arjan Konomi. Artikulli është publikuar më 2001, në Itali në revistën LIMES, në një nga revistat më të rëndësishme në Evropë, si dhe në Kosovë në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”.
PËRSE SHQIPTARËT PRANUAN TË NËNSHKRUAJNË DUKE DITUR REFUZIMIN E PALËS SË BEOGRADIT
Më 15 mars u bënë dy vjet nga përfundimi i Konferencës së Parisit për Kosovën, e cila do të shënonte dështimin e diplomacisë së paqes dhe maturimin e kushteve për të ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj Jugosllavisë. “Diplomacia e luftës”, nëse mund t’i quajmë me këtë përcaktim përpjekjet e Grupit të Kontaktit dhe të SHBA-së, për të arritur një marrëveshje me Qeverinë e Beogradit dhe me përfaqësuesit politikë e ushtarakë shqiptarë, për zgjidhjen e krizës së Kosovës, përmasat e të cilës, po merrnin përpjestime gjithmonë e më të mëdha. Vlen të kujtojmë se Konferenca e Parisit shënoi fazën përfundimtare të përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në muajt paraardhës, ishin bërë disa tentativa për të rënë në një marrëveshje me Jugosllavinë, tentativa këto, të cilat nuk u respektuan nga Qeveria e Milosheviqit.
DIPLOMACIA STANDARD DHE AJO E LUFTËS
“Diplomacia standard” kishte nisur qysh në fillimin të marsit të 1998, me krijimin e Grupit të Kontaktit për Jugosllavinë, ku bënin pjesë 6 vende: SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Italia, Gjermania dhe Rusia, të cilat do të mblidheshin me frekuencë të përmuajshme. Fundi i këtij tipi diplomacie tradicionale konsiderohet muaji tetor i vitit 1998, me marrëveshjen e 12 tetorit midis diplomatit amerikan Richard Holbrooke dhe presidentit jugosllav Slobodan Milosheviq, bisedime që zgjatën 9 ditë. Në atë periudhë, UÇK-ja gjendej e dobësuar nga kundërofensiva serbe, e cila kishte shkaktuar rreth 250 mijë refugjatë, Këshilli Atlantik aprovon për herë të parë një urdhër për bombardime mbi Jugosllavinë. Përfaqësuesit e qeverive të vendeve të NATO-s, autorizojnë bombardimin e rreth 50 instalimeve të kundërajrorëve jugosllavë. Beogradit i jepet ultimatum deri më 27 tetor.
MARRËVESHJA E TETORIT 1998
Pas ultimatumit të NATO-s, Milosheviqi pranoi akordin, në bazë të të cilit i imponohej ndalimi i dhunës ndaj shqiptarëve, i kërkohej të tërhiqte trupat nga Kosova dhe të pranonte prezencën e rreth 1800 verifikuesve të OSBE-së. Krijohet në këtë mënyrë KVM (Kosovo Verification Mission). Njëkohësisht kërkohej që forcat e NATO-s të bënin edhe kontrollin ajror të zonës. Në bazë të këtij akordi, serbëve u lejohej të mbanin pikat ushtarake në Pejë, Prizren, Gjilan, Prishtinë, Mitrovicë e Ferizaj, atë numër forcash, që ishte prezente përpara shkurtit të atij viti, kohë kjo kur filluan luftimet midis UÇK-së dhe forcave federale së bashku me sulmet e këtyre të fundit ndaj popullsisë civile. Në këtë mënyrë, numri i militarëve, që do të lejoheshin në Kosovë, arrinte shifrën e 10 mijë trupave të ushtrisë federale dhe 15 mijë të policisë. Në atë kohë, në Kosovë gjendeshin 40 mijë forca ushtarake dhe paramilitare, duke përfshirë edhe trupat e Arkanit.
Se çfarë u diskutua midis Holbrooke dhe Milosheviqit nuk u publikua, ashtu si dhe marrëveshja nuk u publikua asnjëherë me detaje. Holbrooke u kthye në Bruksel, ku vuri në dijeni NATO-n, se njëfarë akordi ishte arritur. Këshilli i NATO-s votoi që të ndërpritej urdhri i sulmit, por jo që ta eliminonin plotësisht atë. Trupat serbe nuk u tërhoqën (siç thuhej në marrëveshje) nga Kosova. Ato vetëm sa u spostuan nga një zonë në tjetrën. Përveç kësaj, sulmet e ushtrisë serbe ndaj fshatrave shqiptare për të eliminuar UÇK-në, e cila vepronte në atë zonë, e ashpërsuan situatën edhe më tepër.
Do të ishte masakra e Reçakut, ajo që do të shtynte Grupin e Kontaktit të vendoste palën serbe dhe shqiptare në një tavolinë, ku me ndërmjetësimin e saj të arrihej në një marrëveshje në formë ultimatumi, e cila do të shënonte fundin e dhunës ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Masakra e Reçakut përbën për Kosovën atë që shënuan bombat e shpërthyera në pazarin e Sarajevës, në 1995.
Për këtë arsye, marrëveshja e tetorit humbi çdo vlerë. Forcat serbe me luftime të përditshme dhe me një efektivitet shumë më të lartë se në shkurtin e 1998, bëjnë që edhe formula “october plus”, të quhet e papërshtatshme në situatën e re. Kjo formulë ishte marrë në konsideratë nga administrata amerikane dhe konsistonte në akordin midis Milosheviqit dhe Holbrooke, të tetorit 1998, duke i shtuar kërkesën për dërgimin e forcave mbrojtëse për verifikuesit e OSBE-së. Lindi nevoja për një tjetër akord i ndryshëm nga të parët, por që njëkohësisht të pritej pozitivisht nga serbët, shqiptarët dhe nga pjesëtarët e tjerë të Grupit të Kontaktit, për më tepër nga Rusia. Në mbledhjen e këtij grupi, në fund të janarit në Lancaster House, të Londrës, vendoset të mblidhet një konferencë ndërkombëtare, në fillim të muajit shkurt.
KONFERENCA E RAMBUJESË
Konferenca nisi punimet më 6 shkurt 1999. Në bisedime për palën shqiptare ishin ftuar edhe përfaqësuesit e UÇK-së, të cilët kanë arritur të fitojnë një prestigj ndërkombëtar edhe pse në një kohë të shkurtër. Kërkesat ndaj Jugosllavisë kësaj radhe, duke parë se nuk u mbajtën premtimet e tetorit, ishin ende më të forta.
Edhe një herë përsëritet kërcënimi i NATO-s për të bombarduar Jugosllavinë, në rast se nuk do të pranonte kërkesat e paraqitura. Për herë të parë i kërkohej Beogradit të pranonte trupat e NATO-s dhe të largonte pjesën dërmuese të ushtrisë dhe të policisë, duke lënë vetëm një numër të reduktuar për kontrollin e kufijve.
“Besoj thellësisht në potencën amerikane dhe në rëndësinë e të bërit të qartë se mund ta përdorim atë”, do të shprehej Madeleine Albright gjatë konferencës, e cila qysh në muajin janar kishte shprehur se plani i saj për paqen kishte ndryshuar. Mundësia e ndërhyrjes amerikane kësaj radhe dukej më e madhe në krahasim më 1995, kur u krijua ISFOR (më pas e quajtur SFOR) për në Bosnjë.
Dy javë para se Konferenca të mblidhej në Rambuje, nuk mendohej në Washington mundësia që plani i Albright do të kalonte nëpërmjet një konference internacionale për paqe, e cila në formë do t’i ngjante asaj të Dejtonit. Bazuar në një propozim amerikan, Këshilli i NATO-s në Bruksel diskutoi mundësinë e një ultimatumi tjetër për fillimin e bombardimeve. Bëhej fjalë për 96 orë, që Beogradi të pranonte një sërë kërkesash, duke përfshirë edhe ato të shtuara nga SHBA-ja. Kërkesa këto, që do të ishin në qendër të diskutimeve në Rambuje. Rusët përfaqësoheshin nga Boris Majorskij, kurse amerikanët nga Christofer Hill. Ambasadori austriak në Beograd, Wolfgang Petritsch, ishte i dërguari i Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht i ngarkuar të paraqiste pikat kryesore të marrëveshjes te të dyja palët.
DY “FANTAZMAT” E KËSHTJELLËS
Siç u shpreh një nga negociatorët e Grupit të Kontaktit “në Rambuje ishin dy fantazma”. Njëra ishte ajo e Slobodan Milosheviqit, sepse dihej se të gjitha vendimet përfundimtare i përkisnin atij. Fantazma e dytë ishte ajo e NATO-s, ose më saktë e atyre trupave, që duhej të hynin në Kosovë për të garantuar paqen dhe zbatimin e marrëveshjes. Është fjala për KFOR-in (Kosovo Force) me rreth 30 mijë veta, i cili për Kosovën do të ishte çfarë ishte ISFOR dhe SFOR për Bosnjën. Pyetja, që bënin shpesh anëtarët e delegacionit kosovar, siç thotë zëdhënësi i këtij delegacioni në Konferencë, Filippo di Robilant, ishte se kush përfaqësonte NATO-n. Dhe për këtë kishin të drejtë, po të konsiderojmë faktin se pjesën ushtarake të akordit filluan ta paraqisnin vetëm ditët e fundit të konferencës, në ndryshim me atë të Dejtonit, ku që në fillim u parashtrua edhe ana ushtarake e akordit të paqes. Gjithashtu, nuk kishte të pranishëm asnjë delegat ushtarak, që mund të sqaronte pjesëmarrësit e delegacioneve. Gjenerali Wesley Clark ishte kryetar i grupit për “Joint Chiefs of Staff” të ushtrisë amerikane dhe nuk ishte emëruar ende si komandant i forcave të NATO-s në Evropë. Emërimi do të bëhet gjatë punimeve të konferencës.
VËSHTIRËSITË E KRIJUARA NGA FRANCA
Duke thyer rregullin, që u ishte imponuar delegacioneve në Rambuje, për mos të dalë nga kështjella ku zhvilloheshin negociatat, kosovarët në natën e 22 shkurtit, takojnë në një bazë të NATO-s, në afërsi të Parisit, gjeneralin Clark, i cili u shpjegon aspektin ushtarak të marrëveshjes. Gjenerali nuk iu afrua Rambujesë, sepse presidenti frances Jacques Chirac kishte kërkuar me këmbëngulje që mos të lejohej prezenca e përfaqësuesve të NATO-s në bisedime. Një kërkesë kjo absurde, kur prej asnjë pale nuk vihej në dyshim se do të ishte pikërisht NATO-ja, ajo që do të merrte përsipër zbatimin e vendimeve të marra aty. Ky fakt pati një pasojë negative për kosovarët. Gazetarët, që kanë kritikuar në mënyrë të vazhdueshme NATO-n, e konsideruan takimin në bazën ushtarake midis gjeneralit Clark dhe palës kosovare si një simpati, që NATO-ja apo SHBA-ja kishte për UÇK-në. Dhe arrinin në përfundimin se këto dy subjekte kishin mbajtur anën e kësaj të fundit. Ky lloj arsyetimi nuk është korrekt. Nuk mund të mohohet fakti se UÇK-ja me politikën që kishte ndjekur në dy vitet e fundit dhe me taktikën ushtarake joterroriste kishte fituar simpatitë e amerikanëve, por kjo është një çështje që meriton të analizohet në mënyrë të veçantë.
Arsyeja kryesore qëndron në faktin se problemi më kyç për përfundimin me sukses të konferencës mendohej të ishte tek UÇK-ja, e cila shumë herë ishte shprehur se nuk do ta firmoste marrëveshjen, nëse nuk do të njihej pavarësia e Kosovës. Duke qenë se prej UÇK-së vareshin edhe zhvillimet në terren (vetëm ajo mund të vendoste për ndërprerjen e luftimeve nga ana shqiptare), ajo paraqiste pikën më të dyshimtë. Ndërsa për delegacionin serb, të gjithë diplomatët mendonin se ishte e nënkuptuar firmosja, nuk mendonin të njëjtën gjë për shqiptarët, pikërisht për prezencën e krahut të armatosur në delegacionin kosovar. Dhe e tërë kjo do të ishte eliminuar, në rast se presidenti francez nuk do të kishte kërkuar vendimin e mësipërm. Veprimi i presidentit Chirak interpretohet në specifikën e politikës së vendit të vet. Franca ka një traditë politike autonome në gjirin e komandës ushtarake të NATO-s, traditë kjo e lindur me De Golin. Ndaj, Qeveria franceze u tregua më e rezervuar karshi një politike të pavaruar e autonome të NATO-s dhe të preferonte që në negociata, të flitej vetëm për KFOR-in nën një mandat të Kombeve të Bashkuara. Udhëzimet e Holbrooke, që vendi organizator (domethënë Franca) të kishte një rol vendimtar në këto negociata, patën për pasojë që Franca të pengonte iniciativat e amerikanëve, të cilët gjendeshin në këtë mënyrë të bllokuar, për sa i përket kontrollit të punimeve.
KONFERENCA E PARISIT
Më 15 mars filloi, në Paris, raundi i dytë i bisedimeve. Siç shkruan në “International Affairs” amerikani Mark Weller, këshilltar i delegacionit kosovar në Rambuje “edhe Grupi i Kontaktit ishte përçarë për sa i përket funksioneve, modaliteteve dhe fuqive në zbatimin e marrëveshjes nga ana e NATO-s”. Kjo vlen sidomos në rastin e Rusisë, e cila nuk ishte dakord në disa nga pikat e marrëveshjes. Përfaqësuesi rus Majorskij, shikonte në bisedime një tendencë mënjanimi të rolit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Rusia kishte të drejtën e vetos. Majorskij kishte deklaruar se nuk do të jepte aprovimin për anën ushtarake të akordit, megjithë këmbënguljen e ambasadorit Hill. Po pikërisht këtu qëndronte nyja më e komplikuar e negociatave. Kjo për faktin se në formulimin e aspektit ushtarak të marrëveshjes, UÇK-ja kushtëzonte firmosjen e saj. Aprovimin Rusia e lidhi me shpresën se delegacioni serb do ta pranonte atë.
PSE KUNDËRSHTOI SERBIA
Në këto kushte kryetari i delegacionit serb Milan Milutinoviq, njëkohësisht edhe president i Serbisë, nuk pranon të diskutohet për tekstin e marrëveshjes për dy arsye të përgjithshme kryesore.
Në radhë të parë, sepse propozimi nuk është bërë nga i tërë Grupi i Kontaktit, duke pasur parasysh hezitimin rus. Arsyeja e dytë është se konkluzionet e Lancaster House, sipas deklaratës së Londrës së 29 janarit 1999, paraqiteshin aty si të panegociueshme dhe si rrjedhojë të dy palët duhet t’i pranonin vendimet mbi llojin dhe tipin e prezencës ndërkombëtare të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo do të thoshte se duheshin vetëm pranuar apo refuzuar arsyet specifike të refuzimit, që ishin të lidhura me aspektin ushtarak të marrëveshjes, më konkretisht për faktin, nëse do të ishte NATO-ja në komandë të trupave ushtarake, që do të dërgoheshin me mision në rajon, si dhe me kalimin e këtyre trupave në territorin jugosllav pa iu nënshtruar asnjëlloj kontrolli. Por, këto arsye njihen mirë nga lexuesi, prandaj dhe nuk po ndalem më gjatë në shpjegimin e tyre.
Përfaqësuesi i Rusisë, Majorskij, kishte dashur që akordi të ndahej në dy pjesë, në mënyrë që mund të paraqitej më i volitshëm për serbët dhe për pasojë të firmosej prej tyre. Ideja e tij ishte që sensi politik të ndahej nga ai ushtarak. Dhe pasi të firmosej aspekti politik i marrëveshjes nga të dy palët, të përpiqeshin të diskutonin edhe aspektin ushtarak të tij.
Por, serbët nuk e aprovuan këtë mundësi të Rusisë dhe ishin pikërisht ata, që ia kthyen shpinën të parët Majorskit, duke kërkuar që e gjithë marrëveshja të ishtë një e tërë dhe jo e ndarë në dy pjesë. Ndoshta ky ishte gabimi kryesor i serbëve, të cilët nuk patën një “nuhatje politike”, në bazë të së cilës mund të “masnin” kërkesat e tyre, në përputhje me lëkundjet e Grupit të Kontaktit.
LOJA E BIXHOZIT
Kështu arrihet më 18 mars, ku vetëm delegacioni kosovar firmos Marrëveshjen. Serbët ndërkohë janë kthyer në Beograd. Në të tëra këto skena e prapaskena një rëndësi vendimtare pati një element tjetër. Përçarja, që ekzistonte në delegacionin shqiptar kishte lënë të nënkuptohej te serbët (por edhe në Grupin e Kontaktit, po të kemi parasysh deklaratat thuajse “kërcënuese” të ministrit të Jashtëm italian Lamberto Dini ndaj kosovarëve), se ata (shqiptarët) nuk do ta firmosnin marrëveshjen. Ndërkohë UÇK-ja kishte bërë një fushatë deklaratash në Kosovë, gjatë kohës midis dy konferencave, se nuk pranonte kërkesat dhe për rrjedhojë nuk do të firmoste në Paris. Po kjo linjë shprehej edhe prej përfaqësuesit politik të UÇK-së në Kosovë, Adem Demaçit, i cili kundërshtonte fuqishëm dhe nuk pranonte që në Paris të firmosej dokumenti. Në këtë situatë ndodh si në një lojë pokeri: fiton kush zbulon letrat e kundërshtarit. Këtë bëri UÇK-ja, e cila një statut autonomie në brendësi të Jugosllavisë nuk do ta kishte pranuar kurrë. Po kështu nuk do të kishte pranuar edhe për faktin se marrëveshja parashikonte çmilitarizimin e saj. Delegacioni kosovar kuptoi se pala serbe nuk do të firmoste asnjëlloj akordi, qoftë edhe atë më të përshtatshmin për ta dhe që NATO-ja nuk do të ndërmerrte asnjë sulm ndaj Jugosllavisë në eventualitetin e mosfirmosjes nga të dy palët. Ky lloj arsyetimi shpuri në firmën e shqiptarëve. Të njëjtën “strategji” kishin ndjekur edhe serbët, të cilët qysh prej fillimit nuk kishin intencion të firmosnin asnjë akord. Qëllimi i tyre ishte vetëm ta modifikonin atë, për ta bërë sa më të papërshtatshëm për shqiptarët, në mënyrë që këta mos ta firmosnin dhe t’u mbetej përsipër gjithë përgjegjësia e falimentimit të negociatave. Në këtë eventualitet gjithçka do të kishte mbetur si më parë. /Telegrafi/