Afrim Hoti, profesor i së drejtës ndërkombëtare ka qenë i ftuar në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, për të folur rreth procesit të liberalizimit të vizave, respektivisht për misionin e ekspertëve të Bashkimit Evropian që do të qëndrojnë për dy ditë në Kosovë për të vlerësuar përmbushjen e kritereve nga institucionet kosovare në procesin e liberalizimit të vizave.
Hoti ka deklaruar se dështimi i djeshëm i Kuvendit të Kosovës për mos emërimin e anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit e ka dëmtuar këtë proces.
“Unë pres reflektime reale të misionit të BE-së, në të njëjtën kohë zhgënjim për mos përmbushjen e njërit kriter dhe të paktën nëse jo krejtësisht raport negativ, një afat shtesë që ky kriter të përmbushet në afatin sa më optimal të mundshëm, në mënyrë që raporti të jetë pozitiv”, ka thënë Hoti.
Profesori ka thënë se qasja e Qeverisë së Kosovës ka qenë e kënaqshme sa i përket agjendës së integrimeve evropiane, respektivisht të liberalizimit të vizave.
“Dua të besoj që në rast që situata nuk është e tëra e përfunduar, të paktën jemi afër të përmbushjes së kritereve”, ka deklaruar Hoti.