Javën që lamë pas Forca e Sigurisë së Kosovës ka nisur misionin e saj të parë paqeruajtës jashtë vendit, në Kuvajt, ndërsa pas zhvillimeve politike dhe akuzave për manipulim të votave, ka dhënë dorëheqje Meliza Haradinaj-Stublla nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme.
Po javën që lamë pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit, ndërsa Kosova hapi edhe Ambasadën e saj në me seli në Jerusalem.
Po ashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës pati procesin e brendshëm zgjedhor, ku kryetar i kësaj partie u zgjodh Lumir Abdixhiku.
FSK nis misionin e parë paqeruajtës, Osmani thotë se kushdo që kërcënon SHBA-të, ka kërcënuar edhe Kosovën
Më 9 mars është mbajtur ceremonia e nisjes së kontingjentit të parë paqeruajtës të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Kuvajt, ndërsa ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani thënë se kjo nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Osmani tha se Kosova nga një vend që dikur ka importuar trupa paqeruajtëse, sot po dërgon FSK në mision paqeruajtës.
“E nderuar sot që në cilësinë e komandantes supreme të FSK të jem bashkë me ju në përcjelljen e kontingjentit paqeruajtës në Kuvajt. Në këtë ditë historike kam ardhur të ju them ‘Zoti ju ruajt dhe faleminderit’. Nuk mund të lë pa përmendur që në këtë ditë historike asgjë nuk i afrohet nderit që të shërbej si komandante. Ky mision gjashtëmujorë ushtarëve tanë po i bëhet e mundshme falë partneritetit me SHBA. Programi i SHBA-së me shtetin tonë ka qëllim afatgjatë. 22 vjet më parë ishte vështirë e imagjinueshme që ushtarët tanë do të ishin pjesë e misionit paqeruajtës në botë, sot kjo po bëhet realitet”, ka thënë Osmani.
“Nga një vend që importuam trupa paqeruajtës sot po bëhemi eksportues të trupave paqeruajtëse. Ushtarët tanë do të jenë kudo dhe kurdo”, u shpreh ajo.
U.d e presidentit Osmani kishte se kushdo që e kërcënon SHBA-në dhe aleatët tjerë, ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës.
Meliza Haradinaj-Stublla jep dorëheqje nga posti i ministres dhe nga të gjitha funksionet në AAK
Po më 9 shkurt, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj – Stublla kishte dhënë dorëheqje nga posti i ministres si dhe nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia.
Ajo ka thënë se e ndjen obligim moral të jep dorëheqje pas audio-incizimeve ku pretendohet se se janë bërë manipulime me vota, transmeton Telegrafi.
“Edhe pse në rrethana ende të pasqaruara, e ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linçimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj meje dhe familjes sime, e konsideroj obligim moral dhe gjënë më të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia”, ka shkruar ajo.
Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, LVV merr 50.28%, siguron 58 ulëse në kuvend
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi të shtunën rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke fituar 50.28 për qind të votave.
Kjo do të jetë legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të rezultatit, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë ulëse.
Ndërkaq, nga komunitetet, Lista Serbe ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara. Dy ulëse ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës. Nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.
Pas ankesave në PZAP dhe Gjykatën Supreme, “Komuniteti i Bashkuar-Adrijana Hoxhiq” ka humbur ulësen në kuvend dhe në vend të saj ka hyrë, Unioni Socialdemokrat i Duda Bales. Ndërkaq, “Iniciativa Rome” ka mbetur vetëm me një ulëse në kuvend.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së, ku u certifikua rezultati i zgjedhjeve, kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka bëri thirrje që deputetët e rinj të bëjnë reformën zgjedhore.
“Dua t’i drejtohem deputetëve të legjislaturës së ardhshme, subjekteve politike, që reformën zgjedhore të mos e lënë në udhëkryq, por t’ia japin rrugën e duhur. KQZ-ja është e gatshme që të japë kontributin e vetë profesional në këtë reformë”, është shprehur Daka.
Pas certifikimit të rezultatit, sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Kosovës, në këtë rast, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e dala nga zgjedhjet.
Kosova hap ambasadën në Izrael, me seli në Jerusalem
Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se Kosova ka hapur ambasadën e saj në shtetin e Izraelit me seli në Jerusalem.
“Bazuar në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, ku zyrtarizohet njohja e ndërsjellë mes Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit dhe Zotimit të Qeverisë së Kosovës ndaj Qeverisë izraelite dhe Administratës amerikane dhe veprimet që janë ndërmarrë nga 1 shkurti, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ju njofton se tashmë është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Shtetin e Izraelit, me seli në Jerusalem”, thuhet në njoftim.
Gjatë ceremonisë së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më datën 1 shkurt 2021, Ministri i Jashtëm i Shtetit të Izraelit, Gabriel Ashkenazi bëri zbulimin e pllakës së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.
“Në pamundësi për të qenë prezentë në Jerusalem përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, për shkak të situatës pandemike, Ministria e Punëve të Jashtme ka udhëzuar të Ngarkuarën me Punë në Izrael që Pllakën e zbuluar nga Ministri Ashkenazi, bashkë me flamurin shtetëror, ta vendosë në objektin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Vendosja e pllakës dhe flamurit shtetëror në Ambasadën e Kosovës në Izrael reflekton përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur zotimin e dhënë për vendosjen e misionit diplomatik në Jeruzalem”, thuhet në njoftim.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem do të përkushtohet fuqimisht për të rritur bashkëpunimin bilateral dhe për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, thuhej më tej.
Lumir Abdixhiku zgjidhet kryetar i ri i LDK-së
Delegatët e Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, kanë zgjedhur të dielën për kryetar të ri të këtij subjekti, Lumir Abdixhikun.
Telegrafi mëson se Abdixhiku ka arritur të marrë mbi 190 vota nga 329 delegatë që kanë votuar, duke arritur të zgjidhet kryetar qysh në raundin e parë.
Abdixhiku ka arritur të marrë mbi 190 vota nga 329 delegatë që kanë votuar, duke arritur të zgjidhet kryetar qysh në raundin e parë.
Në garë për këtë post ishin edhe Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa. Haziri ka marrë 117 vota, kurse Mustafa vetëm 16.
Zgjedhjen e Abdixhikut në krye të LDK-së e ka konfirmuar edhe vetë LDK përmes një njoftimi.
“Me votën e delegatëve të Kuvendit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, zgjedhet kryetari i LDK-së. Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Na priftë e mbara!”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Kujtojmë se në garë ishte edhe Anton Quni, por i njëjti pak para fillimit të Kuvendit Zgjedhor ka tërhequr kandidaturën e tij.
Pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare, LDK-ja ka dalë partia e tretë me 12.76 për qind të votave. Pas rezultatit të shënuar, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dha dorëheqje.
Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku pas zgjedhjes si i pari i LDK-së ka thënë se sot do të hapin një faqe të re për ta kthyer LDK-në aty ku e ka vendin.
“Më lejoni që të falënderoj kryetarin e deri tanishëm kryetarin Isa Mustafa, që për 11 vitet e fundit udhëhoqi në shtëpinë tonë të përbashkët. Falënderoj dhe dy kundër kandidatët e mi, Hazirin dhe Besian Mustafën. Të dy me kulturën e tyre politike vendosën një standard të ri të garës, jo vetëm për LDK-në por përgjithësi spektrin politikë. Sot po e hapim një faqe të re me qëllime të qartë për ta kthyer LDK-në në vendin e vet. Sikurse në pozitë dhe në opozitë, në përballje të lehtë dhe fryma populliste u tregu promotere e këtyre vlerave”, ka thënë ai.
“LDK nuk ka kohë për të humbur, por ka kohë të për ecur përpara. Ndjej obligim dhe nder t’i prij këtij procesi përpara, kjo detyrë nuk është aspak e lehtë. E gjen LDK-në në frymën populliste, e ideve të majta. Para një obligimi të tillë asnjëri s’mund të qëndrojmë indiferentë”. /Telegrafi/