Telegrafi

Miserete Kolloni: Blerësit mezi presin ta blejnë djathin tim

Miserete Koloni (48), nga fshati Kosavë i Komunës së Dragashit është përgjegjëse për tërë procesin e prodhimit të djathit në familjen e saj. Për një periudhë pothuajse 30 vjeçare, ajo dhe familja e saj prodhojnë dy lloje të djathërave: djathin e Sharrit dhe djathin e bardhë. Në fillim ajo ka punuar me vjehrrën e saj, por para një viti ka marrë pajisje për prodhimin e djathit nga organizata GIZ dhe tani ajo punon si e pavarur.

Miseretes i pëlqen të mbajë përgjegjësi për tërë procesin dhe vendimet t’i merr vet.

Qumështi i deleve sigurohet nga familja, e cila i ka 100-120 dele. Bashkëshorti i saj i mjel delet dhe Miseretja e prodhon djathin me pajisjet e saj të reja, e len që të vije dhe e paketon.

Ajo me mburrje tregon se djathi më i mirë është ai i cili prodhohet nga vetëm një person. Deri më sot është përdorur receta origjinale e vjehrrës së saj, dhe i vetmi ndryshim i vogël është bërë me ardhjen e teknologjisë dhe pajisjeve të reja.
Në fshatin e saj, Miseretja është personi i vetëm që prodhon djathë Sharri, kështu që njerëzit mezi presin të blejnë nga ajo dhe e kërkojnë djathin paraprakisht.

Nganjëherë klientëve të saj i duhet të presin deri në dhjetë ditë për ta blerë djathin. Megjithatë, nëse klientët e saj bëjnë porosi paraprakisht, Miseretja është fleksibile për prodhimin e sasive më të mëdha të djathit, gjë që e mundëson ofrimin e produktit të saj. Meqë djathi i saj shitet shumë shpejtë, Miseretja nuk i bën fare reklamë.

Në familjen e saj, të gjitha të ardhurat menaxhohen bashkërisht. Miseretja tregon se me të ardhurat shtesë nga prodhimi i djathit atyre iu është mundësuar financimi i shkollimit të tre fëmijëve, ku më i vogli ende jeton me ta.

(Kjo intervistë është realizuar në kuadër të aktivitetit “Gratë afariste në Kosovë – Ndërlidhja e popullatës vendore me prodhimet vendore” nga projekti COSiRA- Deutsche Gesellschaft fur Internationale Zusammenarbeit (GIZ) Kosovë). /Telegrafi/