Aktori që ka luajtur mbi 100 role në teatër e kinema, rrëfen sesi gjyshi i tij vrarë nga serbët la amanet që djali i vetëm, Musai, babai i tij, të shkollohej në gjuhën shqipe në Shqipëri, sepse Serbia nuk lejonte çeljen e shkollave shqipe në Kosovë. Ky vendim do ta ndryshojë jetën e familjes së Mirush Kabashit.
I lindur në vitin 1948 në Shkodër, Mirush Kabashi, aktori që nuk njeh moshë për energjinë, do të mbetet i paharrueshëm me Sokratin, rolin më brilant në mesin e 100 roleve të luajtura gjatë jetës së tij në teatër e kinema. Por, filozofia e Sokratit duket se e paska udhëhequr ende pa e ditur jetën e aktorit dhe familjes Kabashi në kalvarin e persekutimeve të diktaturës, që u vendos në Shqipëri pas vitit 1944.
Aktori rrëfen jetën e familjes gjakovare përgjatë gati një shekulli në Shqipëri, nga Tirana në Kavajë e në Shkodër. Kalvari i familjes së aktorit nis me burgosjen e babait, Musa Kabashin, pa asnjë shkak, vetëm se paskej studiuar në shkollën amerikane “Harry Fultz”. Të tjera dënime pasuan në familjen Kabashi me burgosjen e dajës Hysen Çela, si gjoja spiun i amerikanëve dhe masakrimi e zhdukja e eshtrave të dajës tjetër, Skënder Çela.
Këto histori dhe një fjalë përgëzuese e Enver Hoxhës për talentin e aktorëve Robert Ndrenika dhe Mirush Kabashi, që i “rehabiliton” të dy ta, rrëfehen në intervistën që mund të ndiqet në videon e postuar më poshtë. /Report TV/