Më shumë se një e treta e punëtorëve në Mbretërinë e Bashkuar kanë thënë se do të linin punën e tyre nëse punëdhënësi i tyre kërkon që ata të kthehen në zyrë me kohë të plotë, sipas hulumtimit që tregon se sa ka ndryshuar bota e punës që nga koha e mbylljes shkaku i coronavirusit.
Gjashtë prej dhjetë punonjësve po mendojnë të ndryshojnë punën e tyre këtë vit, sipas të dhënave të mbledhura nga faqja e rrjeteve profesionale LinkedIn, megjithëse një në pesë nga ai grup tha se do të qëndronte në rolin e tyre aktual nëse do të vazhdonte të ishte në gjendje të punonte nga distanca.
Gratë janë veçanërisht të prirura për më shumë fleksibilitet në vendin e punës dhe më shumë se gjysma (52 për qind) raportuan se ishin larguar ose po mendonin të linin punën për shkak të mungesës së fleksibilitetit, sipas hulumtimit, i cili kombinoi të dhënat e LinkedIn me rezultatet e anketave të shumta të punëtorëve, raporton theguardian.
Përgjigjet e punëtorëve shihen si dëshmi të mëtejshme se punëdhënësit do të duhet të vazhdojnë të ofrojnë fleksibilitet për fuqinë e tyre punëtore në mënyrë që të rekrutojnë dhe mbajnë staf, transmeton Telegrafi.
Në javën e ardhshme do të shënohet tre vjetori i bllokimit të parë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili solli edhe ndryshime në kryerjen e punëve.
Shumica e punëdhënësve miratuan një model hibrid, edhe pse rregullat e COVID-19 u lehtësuan, me punëtorët që ndanin kohën e tyre midis tavolinave të tyre dhe shtëpisë ose një vendndodhje tjetër.
LinkedIn zbuloi se kërkesa për role në distancë po tejkalonte ofertën në Britani të Madhe, me rolet në distancë që morën më shumë se një të pestën (22 për qind) të aplikimeve për punë në muajin shkurt. Megjithatë, pothuajse gjysma (49 për qind) e drejtuesve të kompanive në Britani dhe jashtë saj kanë thënë se do të preferonin që punonjësit e tyre të punonin më shumë nga zyra.
Në shkurt, punëtorët e kompanisë amerikane të shitjeve të produkteve në internet, Amazon kritikuan vendimin e shefit ekzekutiv, Andy Jassy i cili u kërkonte atyre dhe kolegëve të tyre në mbarë botën që të kthehen në zyrë.
“Bashkëpunimi dhe shpikja është më e lehtë dhe më efektive kur jemi bashkë në një vend”, shkroi ai.
Jassy shtoi se në këtë formë, punëtorët mund të mësojnë më lehtë nga njëri-tjetri dhe të ndihen më të lidhur me kolegët e tyre, kur ndajnë të njëjtën hapësirë pune.
Shoqërimi me kolegët mund të jetë një motiv tjetër për punëtorët që të vizitojnë zyrën më shpesh.
Pothuajse një e treta (30 për qind) e punonjësve në Mbretërinë e Bashkuar thanë se donin të bënin më shumë përpjekje për të takuar kolegët e tyre, ndërsa një shifër e ngjashme tha se planifikonin të shkonin në vendin e tyre të punës më shpesh. /Telegrafi/