Site icon Telegrafi

BE miraton marrëveshje të re për forcat e armatosura

Liderët e Bashkimit Evropian kanë krijuar një marrëveshje për mbrojtje dhe integrim, ashtu që 25 anëtarët bashkërisht të financojnë, zhvillojnë dhe pozicionojnë trupat e armatosura të këtyre vendeve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk e ka përshkruar këtë hap si “të keq për armiqtë tanë”.

Pakti për Bashkëpunim të Përhershëm Strukturor (PESCO), do të përfshijë ushtrinë e të gjitha vendeve anëtare përveç Britanisë, e cila është duke u larguar nga BE-ja.

Në këtë marrëveshje nuk janë përfshirë as Danimarka dhe Malta.

Integrimi i aftësive ushtarake ka qenë qëllim i shumë vendeve anëtare të BE-së për një kohë të gjatë, ndonëse Britania ka vënë rezistencë duke shfaqur frikën se kjo mund ta dobësojë NATO-n.

Britania e Madhe nuk do të jetë e përfshirë direkt në këtë projekt, mirëpo do të ketë mundësi t’i bashkohet këtyre vendeve në misione specifike.

PECSO është projektuar me qëllim të bashkimit të forcave të vendeve anëtare dhe financimit më efikas në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë zhvillimin e armëve të reja, kanë thënë zyrtarët.

Në disa propozime në kuadër të PESCO përfshihet edhe mundësia që Belgjika të zhvillojë dronë për identifikimin e minave në det.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca ushtarake e Perëndimit e mbështet “iniciativën për të rritur mbrojtjen evropiane, sepse unë besoj se kjo do të jetë e mirë për Bashkimin Evropian, Evropën dhe NATO-n”. /Rel/

Exit mobile version