Qeveria e Kosovës ka miratur shqyrtimin e propozim-vendimit për ndarjen e shtesave të njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët 0-16 vjeç dhe pensionmarrësit.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Qeveria është e përkushtuar se atëherë kur ka rritje ekonomike e të hyra buxhetore ato të rishpërndahen tek ata që më së shumti kanë nevojë.
“Andaj të dashur fëmijë, të gjithë ju nga mosha 0-16 vjeç dhe të cilët jeni pranues të shtesave për fëmijë edhe sivjet do t’i përfitoni nga 100 euro secili. Mbështetjen shtesë nga 100 euro do ta marrin edhe të gjithë pensionmarrësit e kualifikuar”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se në këtë ndarje prej 100 euro në muajin dhjetor janë të përfshirë të gjitha skemat e pensionmarrësve dhe siç tha ai i vetmi kusht është që nuk mund të përfitoj dikush nëse është përfitues i më shumë se njërës skemë “pra nuk mund të përfitojë dy herë, por vetëm një herë”.
“Kriteri tjetër është që të ardhurat nga skemat shtetërore, të ardhurat e konsoliduara është që të jenë nën 700 euro në muaj. Mjetet tashmë janë ndarë me vendimet e mëhershme të qeverisë, bëhet fjalë për rreth 700 mijë që do të përfitojnë nga këto shtesa”, ka thënë Murati. /Telegrafi/