Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme (e mërkurë) ka miratuar Rregullore të re për të Drejtat në Rabat, duke e cilësuar këtë si etapë të re për industrinë kinematografike në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo rregullore do ta bëjë Kosovën destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon.
I njëjti instrument do të aplikohet po ashtu edhe për kompanitë që zhvillojnë video-lojëra.
Reagimi i plotë i Kurtit:
“Nga sot fillon një etapë e re për industrinë e kinematografisë në vend. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi miratuar rregulloren për të drejtën në rabat, instrument që synon të tërheqë investime të huaja në Kosovë.
Kompanitë e huaja filmike do të kenë mundësinë që të xhirojnë projektet e tyre filmike në territorin e Kosovës, për të cilin investim do të rimbursohen 30% të shpenzimeve të pranueshme që i kanë harxhuar në bizneset, shërbimet, e burimet njerëzore vendore. I njëjti instrument aplikohet edhe për kompanitë që zhvillojnë video-lojëra.
Kosova do të bëhet destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon, duke qenë se talenti dhe përvoja e dëshmuar veçse është e pranishme dhe e gatshme për të ngritur industrinë tonë në nivele ende më të larta. Me rabatin nuk synojmë vetëm mbështetje, por investim direkt në talentin kreativ vendor. E në të njëjtën kohë, është edhe ftesë për botën që të vijnë e të krijojmë së bashku në Kosovën tonë.
Urime gjithë komunitetit të kineastëve dhe ju priftë e mbara në bashkëpunimet që do të vijojnë”.
Në anën tjetër, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, tha se miratimi i kësaj rregullore “padyshim se do të nisë një etapë të re”.
“Me rabatin, sigurohet që 30 për qind e shpenzimeve të pranuara t’i kthehen direkt investuesit të huaj: shpenzime që bëhen në shërbime dhe fuqi punëtore lokale. Kjo nuk është vetëm për filma dhe seriale por edhe për video-klipe muzikore, reklama dhe së fundmi edhe për zhvilluesit e lojërave”, theksoi Çeku.
Duhet vënë në pah që rabati në Kosovë është përcaktuar deri në 30 për qind të shpenzimeve të pranueshme ku përfshihen burimet njerëzore, shërbimet dhe mallrat e përdorura dhe konsumuara në Kosovë. /Telegrafi/