Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot një rezolutë të hartuar nga palestinezët, e cila kërkon që Izraeli t’i japë fund “pranisë së paligjshme në territorin e pushtuar palestinez” brenda 12 muajve.
Rezoluta u mbështet nga 24 vende, 43 abstenuan ndërsa Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe 12 të tjerë votuan kundër.
Lëvizja izolon shtetin izraelit vetëm disa ditë përpara se liderët botërorë të shkojnë në New York për mbledhjen vjetore të OKB-së.
NEWS: UN General Assembly adopts resolution demanding that Israel brings to an end its unlawful presence in the Occupied Palestinian Territory without delay and within the next 12 months.https://t.co/Vj0Ve1lLBi pic.twitter.com/2rKKvDNDqd
— United Nations (@UN) September 18, 2024
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu planifikohet t’i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme prej 193 anëtarësh më 26 shtator, në të njëjtën ditë me presidentin palestinez, Mahmud Abbas.
Rezoluta mirëpret opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të muajit korrik, sipas të cilit pushtimi izraelit i territoreve dhe vendbanimeve palestineze është i paligjshëm.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme u bën thirrje shteteve “të ndërmarrin hapa për t’i dhënë fund importit të çdo produkti me origjinë nga vendbanimet izraelite, si dhe furnizimin ose transferimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve të lidhura me Izraelin (…) kur ka arsye të besueshme se ato mund të përdoren në territorin e pushtuar palestinez”.
Ndryshe, kjo është rezoluta e parë e propozuar zyrtarisht nga Autoriteti Palestinez që kur fitoi të drejta dhe privilegje shtesë këtë muaj, duke përfshirë një vend midis anëtarëve të OKB-së në dhomë dhe të drejtën për të propozuar projekt-rezoluta. /Telegrafi/