Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka ka njoftuar se është miratuar rezoluta për mbajtjen e një seance të posaçme urgjente të Asamblesë së Përgjithshme për të diskutuar pushtimin rus të Ukrainës.
“Miratim i fuqishëm i rezolutës së propozuar nga Shqipëria&SHBA. Sesioni Special i Emergjencës i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u mbështet nga 11 anëtarë të OKB-së. Edhe një herë Rusia u izolua. Bota nuk do të heshtë“, ka shkruar Xhaçka në një postim në “Twitter”.
Resounding endorsment of resolution proposed by 🇦🇱 & 🇺🇸. Emergency Special Session of #UNGA supported by 11 #UNSC members.
🇦🇱🇧🇷🇫🇷🇬🇦🇬🇭🇮🇪🇰🇪🇲🇽🇳🇴🇬🇧🇺🇸
Once again Russia is isolated as it should be. The world will not be silenced. #WeStandwithUkraine pic.twitter.com/hFpW8OoyPQ— Olta Xhaçka (@xhacka_olta) February 27, 2022
Lidhur me këtë kanë raportuar edhe mediat e huaja, sipas të cilave, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi të dielën për të mbajtur një seancë të rrallë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme për të diskutuar sulmin rus ndaj Ukrainës.
Siç bëhet e ditur, takimi do të mblidhet të hënën dhe do t’u japë të gjithë 193 anëtarëve të trupit global mundësinë për të shprehur pikëpamjet e tyre për agresionin, përcjell Telegrafi.
Rusia votoi kundër rezolutës, por sipas rregulloreve të OKB-së, ajo nuk kishte të drejtën e vetos.
Procedura lejohet sipas një rezolute të vitit 1950 të quajtur “Bashkimi për Paqe”.
Ajo lejon që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të “thërrasin” Asamblenë e Përgjithshme për një seancë të posaçme nëse pesë anëtarët e përhershëm – Rusia, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Kina – nuk arrijnë të bien dakord ndërmjet tyre për të vepruar së bashku për të ruajtur paqen.
Masa u nxit nga Rusia të premten duke përdorur veton e saj për të bllokuar një rezolutë të Këshillit të Sigurimit që dënonte pushtimin e Moskës dhe bëri thirrje për tërheqjen e menjëhershme të trupave të saj.
Siç tregojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, vetëm mbështetja e nëntë nga 15 anëtarët e këshillit kërkohet për të thirrur një seancë të posaçme urgjente të Asamblesë së Përgjithshme.
Njëmbëdhjetë vende votuan pro. Rusia kundërshtoi, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina dhe India abstenuan.
Sipas diplomatëve, kjo do të jetë seanca e 11-të e tillë që është mbajtur.
Diskutimi pritet të nxjerrë në pah shkallën e izolimit të Rusisë në komunitetin ndërkombëtar lidhur me agresionin e Ukrainës.
Seanca e së hënës është planifikuar të fillojë në orën 10:00 në Nju Jork dhe pritet të zgjasë të paktën gjatë gjithë ditës.
Ndërkohë të hënën, Këshilli i Sigurimit është planifikuar të mbajë në orën 17:00 një takim urgjent për situatën humanitare në Ukrainë. /Telegrafi/