Ministria e Integrimit Evropian, ka mirëpritur Marrëveshjen Kornizë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen në programet e BE-së nga ana e Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel.
“Pas miratimit të sotëm kjo marrëveshje kornizë e cila është nënshkruar mes BE-së dhe Kosovës në dhjetor të vitit kaluar do të hyj në fuqi së shpejti dhe do të mundësoj që Kosova të jetë pjesë e 17 programeve të BE-së që ofrojnë mbështetje financiare për një gamë të gjerë përfituesish, siç janë, studentët, shkencëtarët, OJQ-të, bizneset, qytetet, rajonet, mediet, artistet dhe shumë të tjerë.
Kërkesat e Kosovës për t’ju mundësuar qasja në këto programe janë të kamotshme dhe procesi deri te miratimi i sotëm ka qenë i gjatë, duke filluar zyrtarisht që nga viti 2009 kur Komisioni Evropian e ka rekomanduar për herë të parë.
Padyshim, kjo do të krijoj mundësi të reja për bashkëpunim mes Kosovës dhe BE-së, duke përfshirë edhe pjesëtar të ndryshëm të shoqërisë tonë në proces të bashkëpunimit me kolegët e tyre nga BE edhe rajoni. Qeveria e Kosovës në vitin e parë pas hyrje në fuqi, pra gjatë vitit 2018, ka paraparë pjesëmarrjen në katër nga këto programe në vitin në vazhdim: Erasmus +, COSME , Evropa për Qytetarë dhe Evropa Kreative”, thuhet në komunikatën e MIE-së.