Telegrafi

Qeveria miraton Projektligjin që mundëson themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar Projektligjin për Sigurinë Kibernetike.

Para kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti, tha se përmes këtij Projektligji themelohet Agjencia për mbrojtje nga sulmet kibernetike.

“Ky institucion do të jetë përgjegjës për zbatimin e masave për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës. Kjo agjenci do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve nacionale në fushën e sigurisë kibernetike”, u shpreh ai, raporton Telegrafi.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se përmes këtij Projektligji do të krijohen kushte që të ketë siguri kibernetike në Republikën e Kosovës.

“Në kuadër të Projektligjeve të MPB-së, për vitin 2022 është edhe Projektligji për Sigurinë Kibernetike. Siç e dimë kohëve të fundit jemi përballur me sulme kibernetike që kanë cenuar funksionalitetin e shërbimeve. Përmes këtij ligji synohet të krijohen kushtet që të ketë siguri kibernetike në Republikën e Kosovës”, tha Sveçla.

Ndryshe, ditëve të fundit në Kosovë ka pasur sulme kibernetike ndaj mediave, bizneseve dhe institucioneve. /Telegrafi/