Site icon Telegrafi

Miratohet pjesërisht kërkesa e ZPS-së që dëshmitë e shtatë dëshmitarëve të pranohen me shkrim në rastin ndaj Thaçi dhe të tjerëve

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka miratuar pjesërisht kërkesën e ZPS-së për pranimin me shkrim në prova materiale dëshmitë e shtatë dëshmitarëve së bashku me materialet shoqëruese.

Sipas zëdhënësit të DhSK-së, Michael Doyle, dëshmitarët do të jenë në dispozicion që të merren në pyetje nga mbrojtja në sallën e gjyqit.

Ai tha se trupi gjykues ka hedhur poshtë pjesën ku ZPS-ja kërkonte pranimin e disa provave shoqëruese që kanë të bëjnë me një dëshmitarë.

“Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën në lidhje me disa prova shoqëruese që kanë të bëjnë me një dëshmitar. Megjithatë, trupi gjykues theksoi se kjo nuk e pengon Prokurorinë të kërkojë që t’i paraqesë dokumentet nëpërmjet një dëshmitari që jep dëshmi në sallë të gjyqit ose si prova jogojore, që do të thotë pa pasur lidhje me ndonjë dëshmitar”, tha Doyle.

Ai tutje tregoi se gjatë kësaj jave kanë dëshmuar tre dëshmitarë në këtë rast e që dy prej tyre dëshmuan përmes video-lidhjes dhe në seancë private. Ndërsa, në publik dëshmoi Nezir Çoçaj i cili ishte ish-pjesëtar i UÇK-së.

Doyle tregoi se numri i dëshmitarëve që kanë dëshmuar në sallën e gjyqit deri më tani në këtë rast ka shkuar në 106.

Në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës, Trupi Gjykues do të shpallë urdhrin për zhdëmtim të premten, 29 nëntor në orën 11:00 në seancë publike.

Në anën tjetër, Doyle përmendi edhe faktin që tashmë është caktuar 29 nëntori për mbajtjen e seancës, ku do të shqiptohet urdhri për zhdëmtim të viktimave në të cilën është urdhëruar që Pjetër Shala të merr pjesë.

Megjithatë, mbrojtja e Shalës kishte kërkuar që t’i lejohej të pandehurit mosparaqitja në seancë ose ta shtyjë datën e shpalljes, për shkak se atë ditë tashmë është konfirmuar vizitë nga gjashtë persona që vijnë nga jashtë shtetit.

Tutje, Doyle tregoi se kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi kërkesën referuese të Haxhi Shalës drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara.

“Kërkesa referuese e z. Shala drejtuar Gjykatës Kushtetuese vjen pas vendimit mbi kërkesën e Haxhi Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë, të panelit të Gjykatës Supreme, në të cilin hodhi poshtë kërkesën e z. Shala për mbrojtje të ligjshmërisë në lidhje me urdhrin e parë të Gjykatësit të Procedurës Paraprake mbi paraburgimin e z. Shala. Paneli i Gjykatës Kushtetuese përbëhet prej gjykatësve Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti”, tha Doyle.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Exit mobile version