Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi ka miratuar sot në parim draftin e ekspertëve ndërkombëtarë për ndryshimet kushtetuese.
Mbledhja ka nisur me kundërshti mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, por në fund palët gjetën gjuhën e përbashkët për miratimin e draftit në fjalë.
Me gjithë votën pro, opozita vijon të ketë rezerva sa i takon çështjeve politike, për të cilat priten negociata të tjera.
“Vota jonë pro fillimit të procesit të amendamenteve nuk duhet të interpretohet si një votë pro çështjeve politike të cilët ekspertët nuk i kanë marrë në trajtim. Ne përsëritim thirrjen tonë drejtuar mazhorancës që çështjet politike të fillojnë të negociohen sa më parë”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi në një prononcim për mediat.
Kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, theksoi se “ka votë në parim për projektin kushtetues, edhe falë kontributit të opozitës”.
“Duhet të ecim me ritme të shpejta. Nëse ekziston vullneti, do e përfundojmë në kohë. Procesi është ndarë në 6 kapituj. Kam propozuar këtë ndarje: integrimi, Gjykata Kushtetuese, gjyqësori, institucionet e reja, prokuroria dhe i fundit me dispozitat kalimtare dhe vetingun”, u shpreh Xhafaj.
Në qëndrimin e djeshëm zyrtar, PD-ja deklaroi se “në parim është ‘pro’ ndërhyrjeve dhe përmirësimeve të bëra nga ekspertët e EURALIUS-it dhe OPDAT-it në draftin kushtetues, me shpresën se edhe mazhoranca ndan të njëjtin vullnet me opozitën parlamentare, për ta çuar përpara realizimin e reformës në Drejtësi”. /Telegrafi/