Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Koncept-dokumentin për themelimin e mekanizmit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes tha se kanë kaluar 22 vite pas luftës, dhe adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës është shumë larg prej asaj që ne duam e na duhet.
“Nuk mund të zhbëjmë të kaluarën e as ta kthejmë kohën mbrapa për të adresuar krimet që duhej të ishin adresuar kohë më parë, por mund të bëjmë më të mirën në rrethanat në të cilat jemi. Shkeljet e rënda të drejtave të njeriut, krimet e luftës, do të trajtohen nga mekanizimi për dokumentimin e krimeve të kryera”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se koncept-dokumenti rekomandon themelimin e mekanizimit me anë të një ligji të veçantë.
“Ky mekanizëm do ti kontribuojë realizimit të së drejtës së viktimave dhe shoqërisë për të ditur të vërtetën. Dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë do ti shërbej edhe edukimit të ngritjes së vetëdijes që vendi unë dhe rajoni kurrë mos të shoh më përsëritjen e dhimbshme të krimeve të kryera”, tha Kurti.
Derisa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se qëllimi i mekanizmit është që krimet të mblidhen, verifikohen, sistemohen, të ruhen dhe të jenë të qasshme.
”Qëllimi i krijimit është që krimet që kanë ndodhë të mblidhen, të verifikohen dhe të jenë të qasshme për viktimat, për shoqërinë dhe pastaj për institucionet e drejtësisë”, tha Haxhiu./Telegrafi/