Qeveria e Kosovës miratoi sot draft-strategjinë e mbrojtjes së Kosovës.
Në mbledhje u tha se në këtë dokument do të përcaktohen objektivat kryesore për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit, modernizimin e kapaciteteve ushtarake, bashkëpunimin bilateral, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, etj.
“Kosova do të jetë kontribuuese rajonale e sigurisë dhe pjesëmarrëse në operacionet ndërkombëtare mbështetëse humanitare dhe paqësore në përputhje me aspiratat tona të anëtarësimit në NATO”, tha kryeministri Albin Kurti, raporton Telegrafi.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se objektivat në draft-strategjinë e mbrojtjes janë bazuar në interesat shtetërore në planin afatmesëm dhe afatgjatë.
Ai tha se kjo strategji ofron drejtimin kryesor për organizimin e sistemit të mbrojtjes për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe rreziqeve ndaj Kosovës.
Ndërkaq, në pikën tjetër të rendit të ditës Qeveria e Kosovës ndau 25.8 milionë euro për sigurinë dhe mbrojtjen.
Ministri i Financave, Hekuran Murati para kabinetit qeveritar bëri të ditur se 7.8 milionë euro do t’i shkojnë Ministrisë së Brendshme, ndërkaq 18 milionë euro do të jenë për Ministrinë e Mbrojtjes.
“Kjo ndarje në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për të avancuar sistemet e mbrojtjes dhe të sigurisë”, tha ai. /Telegrafi/