Këngëtarja e mirënjohur shkupjane Miranda Hashani shënon 30 vjetorin e karrierës së saj muzikore me një koncert gala.
Koncerti do të mbahet të enjten më 23 mars 2017, me fillim nga ora 19:30, tek Ish salla e kinemasë së TV 21 në Shkup.
Koncerti jubilar “30 vjet këngë me ju” është një projekt shumë i rëndësishëm për këngëtaren, pasi me të rrumbullakon plotë 30 vite karrierë mu në Shkup nga ku dhe filloi.
Gjatë koncertit janë paraparë interpretime live të 20 kompozimeve të orkestruara special për këtë ngjarje nga muzicienti Edon Ramadani, në skene do të performojnë muzicient të njohur nga Maqedonia dhe Kosova.
Gjithashtu do të ketë edhe kostumografi të punuar enkas për këtë koncert. Do të transmetohet film dokumentar për jetën dhe veprën e Miranda Hashanit, ndërsa të ftuar special të koncertit janë këngëtarët Shkurte Fejza, Vjollca Luka dhe Selami Kolonja. Me këtë rast do të promovohet edhe kënga më e re me vidoklip nga Miranda Hashani.
Ndryshe, Miranda Hashani karrierën e saj e ndërtoi duke përzgjedhur muzicientet, bashkëpunëtoret dhe këngët nga më të veçantat. Kështu arriti që të realizojë 10 albume të edituara dhe të jetë pjesëmarrëse në shumë festivale të organizuara në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri ku spikati me interpretimin, zërin dhe paraqitjen e saj.
Gjatë gjithë këtyre viteve nuk i munguan as paraqitjet televizive, programet nga më të ndryshmet si dhe ahengjet, me qellim që nëpërmjet këngës të jetë sa më afër me publikun e saj të shumtë.
Në këtë koncert janë të ftuar 250 mysafirë mes të cilëve numri më i madh bashkëpunëtor muzikor, personalitete eminente nga jeta publike dhe miq. /Telegrafi/