Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton sot feston 72 vjetorin e lindjes, ndërsa shoqata “Miqtë e Amerikës”, organizuan në Prishtinë, një ceremoni festimi për nder të tij.
Në ceremoni përpos pjesëmarrësve nga shoqata të ndryshme dhe familjarë nga mërgata, ishte edhe ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, i cili tha se Amerika është një shtet që iu gjet Kosovës në kohët më të vështira.
“Një shtet, një vend, një popull i cili është gjet në kohët më të liga për vendin tonë, e ka shpëtuar, natyrisht falë edhe luftës së brendshme, por e ka shpëtuar Kosovën nga çbërja. Një diçka që mbetet unë do ta quaja engjëll mbrojtës për vendin, për zhvillimet tona, për persporitetin e përgjithshëm edhe kur kemi telashe, një vend që nuk të zëvendësohet me asnjë hapësirë tjetër miqve, secili do ta ketë vendin e vet por vendi i veçantë dhe që nuk hidhërohen as miqtë tjerë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kohën kur kam qenë president dhe në vitet e mëvonshme, kam pasur rastin ta takojë shumë herë, edhe pse jashtë detyrës aktive por është njeri që mbetet edhe shembull i veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kthesat e mëdha që i ka bërë për zhvillimin ekonomik dhe politikën botërore”, tha ai.
Kryetari i shoqatës, Agim Rexhepi tha se për këtë ditëlindje, duan t’i dërgojnë ish-presidentit mesazhe tradicionale falënderuese e stimuluese, me dhurata tradicionale, jo vetëm te personalitetet amerikane por edhe te ato botërore.
“Porosia e aktivitetit nuk është thjeshtë kulturore, porosia ka kuptim dhe dërgon e gërthen shumë mesazhe. Ka efekte direkte dhe indirekte politiko-diplomatike, ka mesazhe për individë, për institucione, por edhe nacionale e shtetërore. Këtu gërshetohen sepse po presidenti është individë, atij ia bëjmë një respekt për ditëlindjen e tij, mirëpo efekti tjetër është se ai ka qenë president i Amerikës. Është elementi tjetër që ne po e respektojmë individin, mirëpo njëkohësisht po e nderojmë institucionin më të lartë të SHBA-ve. Me këto mesazhe po dëshirojmë të i tregojmë të tjerëve – veproni, se nesër do t’u respektojmë juve, do t’i respektojmë institucionet e juaja, jemi falënderues për këto veprime”, tha ai.
Dhuratat e dërguara te ish presidenti u përgatiten nga zonja Sehite Cakolli, ndërsa librat iu dhuruan nga mjeku kirurg Sali Krasniqi dhe shkrimtari Fehmi Pireva.
Krejt në fund të ceremonisë kryetari i shoqatës lexoi edhe letrën që i dërgohet ish-presidentit Bill Clinton, me urimet për ditëlindje./ KP/