Telegrafi

Miqësorja ndaj Greqisë në hendboll në konkurrencën e femrave konsiderohet pozitive

(Foto: kosovahandball.info)

Skuadra e Kosovës në hendboll (femrat) ka luajtur të shtunën mbrëma ndeshjen e parë testuese ndaj Greqisë. Sfida u luajt në Selanik, ndërsa ekipi vendas fitoi me rezultat 30-26.

Paraqitja e vajzave tona ishte shumë e mirë, ndërsa përzgjedhësi Agron Shabani është ndarë i kënaqur me paraqitjen.

Rezultati ishte thuajse i barabartë gjithë kohën, ndërsa në fund ndikuan edhe disa vendime të gjyqtarëve vendas.

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen. Ky grup po luan së bashku për herë të parë pas tri vjetësh. Kthimi i Leonora Demajt si kapitene, pastaj i Arlinda Hajdari dhe të tjerave ishte shumë pozitiv. Të gjitha lojtaret kanë shfaqur nivel të mirë”.

“Na mbetet t’i bëjmë edhe disa përmirësime, por testi i parë ishte shumë pozitiv. Lojtaret i janë përmbajtur detyrave dhe ne jemi të kënaqur”, ka thënë selektori Shabani.

Me Greqinë zhvillohet një tjetër ndeshje, të cilat shërbejnë për të gjetur formën për sfidat kualifikuese me Ishujt Faroe që luhen të enjten e të shtunën në Istog.