Site icon Telegrafi

Minxhozi: Ta rrisim edhe më shumë bashkëpunimin

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se Shqipëria pret bashkëpunim me qeverinë e re në aspektin ekonomik dhe në atë politikë.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ambasadori Minxhozi ka thënë se kanë marrë premtim nga kryeministri i ri, se do të vazhdojë bashkëpunimi Kosovë – Shqipëri.

Duke folur për bashkëpunimin tregtar Kosovë – Shqipëri, Minxhozi ka bërë me dije se ka një rritje të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.

“Një problem i madh në këtë aspekt është se ende ekzistojnë dallime në sistemin fiskal. TVSH-ja në Shqipëri është 20 për qind, këtu është 16 për qind. Për disa artikuj bazë përdorimi në Kosovë, akciza është zero, ndërsa në Shqipëri është rritur. Prandaj, kërkohet një përafrim i nivelit të akcizave midis dy vendeve. Kjo duhet të shikohet në nivelin e dy qeverive”, është shprehur Minxhozi, duke shtuar se është domosdoshmëri absolute të ketë bashkëpunim ndërmjet tregut të Shqipërisë dhe Kosovës. “Pra, duke qenë dy tregje të vogla, duhet të jemi shumë bashkëpunues”, ka thënë ai.

Ambasadori Minxhozi ka thënë se mbledhja e parë e dy qeverive ka pasur një aspekt promocional për t’i përcaktuar vijat e përgjithshme të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. “Në mbledhjen e radhës të dy qeverive, e cila mendohet të mbahet vitin e ardhshëm, në fund të marsit apo në fillim të prillit, besoj se do të kemi hapa më konkretë për t’i përmbushur detyrimet e ndërsjella, ku do të kemi rritje të shkëmbimeve tregtare”, ka deklaruar Minxhozi.

Ambasadori Minxhozi e ka vlerësuar ide interesante ndërtimin e një linje hekurudhe Prishtinë – Durrës. Ai ka treguar se për ndërtimin e një hekurudhe të tillë është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. /Telegrafi/

Exit mobile version