Me propozimin e kreut të Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshajt që minoritetet të mbështesin Dritan Abazoviqin për postin e kryeministrit është dakord edhe zëdhënësi i Partisë Boshnjake, Adel Omeragiq dhe deputeti i Koalicionit Shqiptar, “Njëzëri”, Fatmir Xheka.
Ata kujtuan se koncepti i qeverisë së minoriteteve ishte propozimi i tyre menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare dhe shprehën kënaqësinë që modeli tashmë është i pranueshëm për shumicën e subjekteve politike.
Omeragiq tha se ky është një tregues se Partia Boshnjake po ndjek politikën e duhur në interes të qytetarëve të Malit të Zi, por gjithashtu tha se para formimit të mundshëm të qeverisë së pakicës, ka ende vend që të bisedohet për vendimet politike që duhet të merren në periudhën e ardhshme, raporton rtcg.
“Është plotësisht e qartë se qeveria aktuale ka humbur mbështetjen e shumicës në parlament. Propozimi i kolegut Nik Gjeloshaj është një nga zgjidhjet e mundshme”, tha Omeragiq, transmeton Telegrafi.
Dje kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, ka konfirmuar se janë të gatshëm të mbështesin Abazoviqin për kryeministër dhe tha se propozimin do t’ia dërgojë Lëvizjes Qytetare të URA.
Ai përsëriti se nuk do të ketë përfaqësues të DPS-së në një qeveri të mundshme të pakicës, por se nuk përjashtoi mundësinë që ajo të përbëhet nga Partia Socialdemokrate.
“Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për krizën politike. Qeveria mund të ketë jetëgjatësi prej një viti dhe më pas duhet të kemi zgjedhje parlamentare”, tha Gjeloshaj.
Theksojmë se Mehmed Zenka, kryetar i Unionit Demokratik Shqiptar në Malin e Zi, ka pohuar ditë më parë se “Dritan Abazoviqit i është ofruar posti i Kryeministrit”.
Ndryshe, presidenti malazez, Milo Gjukanoviq është duke u përpjekur që të krijojë një shumicë parlametare që do të votojë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri, Zdravko Krivokapiq. /Telegrafi/