Site icon Telegrafi

Ministrja zvicerane e mbrojtjes: Për Zvicrën e rëndësishme të ketë shtete stabile dhe sovrane në rajonin e Ballkanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministren e Mbrojtjes së Zvicrës, Viola Amherd, ku edhe ka theksuar synimet dhe planet e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s, Këshillin e Evropës, si dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e Zvicrës dhënë Kosovës para, gjatë dhe pas luftës, e pas pavarësisë së Kosovës, kryeministri Kurti e falënderoi edhe për ndihmën e vazhdueshme në programet e zhvillimit të ekonomisë dhe demokracisë.

Ai theksoi se Kosova dhe Zvicra ndajnë vlerat e përbashkëta, me mërgatën tonë në Zvicër, që janë urë lidhëse mes dy shteteve tona.

Përtej bashkëpunimit bilateral në ekonomi dhe rritjes së volumit tregtar, kryeministri theksoi gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në fushën e mbrojtjes.

Sipas një komunbikate të Qeverisë, Kurti duke theksuar që Kosova është tregim suksesi i zhvillimit demokratik, e njoftoi ministren Amherd me progresin ekonomik dhe demokratik të vendit tonë.

Ministrja Amherd tha se Zvicra dhe Kosova ndajnë vlera të përbashkëta, Ajo potencoi rëndësinë e mërgatës së madhe nga Kosova, që kontribuon në ekonominë e Zvicrës.

Duke ritheksuar mbështetjen e Zvicrës për Kosovë dhe zhvillimin e saj demokratik, ajo tha se për Zvicrën është shumë e rëndësishme të ketë shtete stabile dhe sovrane në rajonin e Ballkanit.

“U potencua gatishmëria e Zvicrës për të ndihmuar e asistuar Qeverinë e Republikës së Kosovës për rritje të mëtejme të indikatorëve pozitivë ekonomik. Gjatë takimit u bisedua për gjendjen e sigurisë në Kosovë, rolin e KFOR-it, situatën politike në rajon, rëndësinë e Procesit të Berlinit, si dhe për dialogun e Brukselit”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version