Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, zhvilloi takim me Ministrin e Shtetit për Çështje Evropiane, Michael Roth.
Gjatë këtij takimi, Ministrja Hoxha e njoftoi homologun gjerman për zhvillimet e fundit në vend, reformat e ndërmarra si dhe përkushtimin e institucioneve të vendit për të avancuar agjendën integruese.
“Me këtë rast, Ministrja Hoxha kërkoi mbështetjen e Gjermanisë për procesin e liberalizimit të vizave duke potencuar se Kosova ka plotësuar kushtet e udhërrëfyesit për viza, gjithsej 95. Tutje, Ministrja Hoxha njoftoi Ministrin gjerman për përpjekjet e bëra në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe theksoi se ky angazhim do të vazhdoj edhe pas liberalizimit të vizave”, thuhet në njoftimin për media.
Aty ndër tjerash thuhet se ministrja Hoxha theksoi se qytetarët e Kosovës tashmë një kohë të gjatë presin liberalizimin e vizave dhe qytetarët tanë meritojnë lëvizjen e lirë.
Ministrja Hoxha, po ashtu e njoftoi Ministrin Roth se Kosova ka ndërmarrë reformat e nevojshme për kontrollin e kufijve dhe ligjeve për të huajt, andaj liberalizimi i vizave nuk do të keqpërdoret nga qytetarët e Kosovës, duke theksuar se duhet dhënë mundësinë të rinjve tanë që të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, sepse Kosova beson fuqishëm në vlerat evropiane dhe kjo është rruga që jemi nisur, bashkimi me vlerat evropiane.
Ndërkaq, Ministri Roth falënderoi Ministren Hoxha për angazhimin si dhe ofroi mbështetjen e Gjermanisë në rrugën integruese të Kosovës, duke vënë në dukje se mbetet shumë punë për t’u bërë drejt integrimit evropian dhe në këtë proces reformat janë kyçe.
Ministri gjerman e siguroi Ministren Hoxha se Gjermania do të mbështes Kosovën në procesin integrues dhe vlerëson lartë reformat e ndërmarra, duke porositur që të vazhdohet dialogu me Serbinë dhe reformat në sektorët kryesorë. /Telegrafi