Site icon Telegrafi

Ministrja Haxhiu nuk posedon asnjë pronë të paluajtshme, të gjitha janë në emër të bashkëshortit

Ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk posedon pasuri të paluajtshme në emër të saj, të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Haxhiu ka deklaruar se një banesë si dhe toka e trashëguar figurojnë në emër të bashkëshortit të saj, Alban Krasniqi.

Ajo po ashtu ka deklaruar se, si pronë të përbashkët të luajtshme me bashkëshortin e saj, e kanë një veturë të tipit “Seat Leon”,e  cila ka vlerë prej 9 mijë e 700 euro.

Ministrja Haxhiu ka deklaruar po ashtu edhe detyrimet që ka ndaj dy bankave nën arsyetimin “Nevoja familjare”. TEB Bankës ajo i detyrohet t’i kthejë 1.700 euro, ndërsa në NLB-së ajo i detyrohet 26.000 euro.

Ndërkaq, të hyrat vjetore të saj si ministre e Ministrisë së Drejtësisë janë 11.387 euro, ndërsa në Lëvizjen Vetëvendosje ajo në vit paguhet në shumën prej 4.200 euro. E sa i përket shtesave, Haxhiu ka deklaruar se si qytetare e Komunës së Malishevës ajo për fëmijët në vit i merr 685 euro.

Ndërsa, sa i përket kompensimit vjetor në seancat e Kuvendit të Komunës Haxhiu ka deklaruar se bashkëshorti i saj për një vit i merr 2.575 euro kompensim nga seancat e Kuvendit Komunal në Malishevë. /Telegrafi/ 

Exit mobile version