Site icon Telegrafi

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë në Bruksel: Ia bëra të qartë Dendiasit se “Beleri” nuk është çështje politike

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në takimin që zhvilloi një ditë më parë në Bruksel me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias ka theksuar se çështja e arrestimit dhe lënies në burg të Fredi Belerit, i përket drejtësisë.

Në në prononcim për mediet lidhur me takimin informal mes ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, Xhaçka bëri të ditur detaje nga biseda me homolgun grek.

“E urova për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e djeshme dhe i shpreha dëshirën tonë të sinqertë që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme për çështjen Beleri, të mund të vazhdojmë bashkëpunimin tonë miqësor, për të cilin kemi hapur tashmë një faqe të re. Kolegu Dendias paraqiti qëndrimin e tij dhe unë bëra shumë të qartë qëndrimin tonë se kjo nuk është as çështje politike dhe as çështje e të drejtave të njeriut”, deklaroi kryediplomatja Shqiptare.

Lexo po ashtu Jepet vendimi për Fredi Belerin, lihet në burg deri në gjykimin e tij për akuzën e blerjes së votave

Ajo ka nënvizuar se kjo është çështje e respektimit të ligjit për çdo qytetar shqiptar.

Ministrja shtoi se “është çështje e luftës kundër fenomenit të blerjes së votës, si një prej rekomandimeve kryesore të OSBE-ODIHR. Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia, në respekt të ligjit, kreu arrestime pikërisht për akuza për blerje vote”.

Lexo po ashtu Arrestimi i Belerit, reagon Xhaçka pas takimit me Dendias: Çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe

Sipas saj, kemi të bëjmë me një çështje që i përket gjyqësorit dhe ku nuk ka vend për ndikime politike nga brenda e jashtë Shqipërisë.

“Për pavarësinë e gjyqësorit ne jemi investuar në mënyrë serioze sikundër është investuar edhe Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare”, theksoi ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version