Site icon Telegrafi

Ministrja e Arsimit në Shqipëri: Si fëmijë në Kosovë kisha parë vetëm luftë, të përpiqemi ta gëzojmë lirinë

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini me rastin e 21 vjetorit të çlirimit të Kosovës ka thënë se kjo liri që gëzojmë sot qëndron mbi mijëra jetë të humbura e shumë të tjera të shkatërruara.

Shahini duke kujtuar periudhën e para 21 vjetëve, tha se si fëmijë që kishte parë vetëm konflikt dhe luftë, e kisha të vështirë ta paramendoja paqen dhe lirinë në Kosovë.

“Sot e 21 vite më parë, isha refugjate në Kanada kur mora lajmin që kishin pushuar bombardimet e NATO-s dhe trupat këmbësore ishin futur në Kosovë. Kosova ishte çliruar! Si fëmijë që kishte parë vetëm konflikt dhe luftë, e kisha të vështirë ta paramendoja paqen dhe lirinë në Kosovë dhe gjithë potencialin që ngërthente ajo liri për popullin tonë. Sot, jo vetëm kam mbijetuar luftën 21 vite më parë, por jam duke shërbyer në qeverinë e Republikës së Shqipërisë, si shenjë e qëndresës dhe bashkimit tonë kombëtar”, shkruan Shahini.

Ajo më tej shkruan se kjo liri që gëzojmë sot, qëndron mbi mijëra jetë të humbura e shumë e shumë të tjera të shkatërruara.

“Ndaj, mos të harrojmë kurrë falë kujt po e gëzojmë këtë ditë dhe të përkujtojmë me përulësi se sa e brishtë është liria dhe sa shumë duhet të përpiqemi ta mirëmbajmë dhe gëzojmë atë, duke dashur njëri-tjetrin dhe duke bërë çdo ditë nga pak që të lëmë një vend më të mirë për fëmijët tanë”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version