Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar deklaratën e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për fryrjen e listave të veteranëve, i cili ditë parë kishte thënë se “lërini veteranët rehat, keni punë të tjera”.
Ajo thotë se ish-kryeministri e ka një hall të madh, teksa shtoi se nuk ia ndien as për veteranët.
“Është e ulët. Mënyra se si flet tregon se ka një hall të mall, S’ja ndien për veteranët, as për kurrgjë çka flet. Diku e ka hallin, por ndoshta është mirë me bë publike, mos me mundu veten kaq shumë, përndryshe burri im ka qenë në luftë, babai im ka qenë në luftë ndonëse s’e ka marrë certifikatën e veteranit. As bashkëshorti im nuk merr pension të veteranit”, tha ajo në RTV 21.
“Dhe po ashtu familjarët e mi kanë kontribu për këtë vend, por çfarë do të thotë kjo? A ma jep të drejtën kjo që me abuzu pas luftës? Jo aspak. Unë asnjëherë s’kam folur për familjen apo veten time në kuptim personal. Deklaratat e tilla janë për keqardhje, e papranueshme si e tillë. Megjithatë e njohim Haradinaj, prandaj le të vazhdojë”, shtoi ministrja Haxhiu.