Me 19 ministri, 21 ministra dhe 39 zëvendësministra, Qeveria e Kosovës vlerësohet si më e madhja dhe më e shtrenjta në Evropë. Gati gjysma e dikastereve qeveritar vlerësohen të jenë të panevojshme, të cilat krijojnë barrë të rëndë financiare për shtetin e Kosovës, shkruan Gazeta Fjala.
Ndërsa, rreth 53 milionë euro do t’i kursente buxheti i Kosovës në vit sikur të zbatohej në praktikë kërkesa e shoqërisë civile për reduktimin e numrit të institucioneve qeveritare.
Një analizë e Institutit “GAP” për “Ristrukturimin e Qeverisë”, në vitin 2014 pati nxjerrë se prej 19 ministrive, Kosova ka nevojë vetëm për 13 sosh.
Ministria e Diasporës, Integrimeve e ajo e Tregtisë shihen si të parat të cilave u duhet vënë dryni.
Punët të cilat i kryejnë këto institucione vlerësohet se mund të barten tek ministritë tjera duke reduktuar kështu shpenzimet buxhetore në të punësuar dhe dreka e darka zyrtare.
Sipas analizës së GAP-it në atë kohë nëse do të reduktoheshin ministritë në 13, vetëm nga postet ministrore dhe kabinetet do të kurseheshin mesatarisht 3.6 milion euro për një mandat qeverisës.
Bazuar në propozimet për ministritë që mund të shuheshin apo të bashkoheshin në dikastere tjera qeveritare Gazeta Fjala ka kalkuluar reduktimin e shpenzimeve në paga të të punësuarve dhe mallra e shërbime.
Prej tyre, 38.3 milionë euro do të kurseheshin për paga dhe mëditje dhe 15 milionë tjera nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve.
Në analizën e GAP-it propozohet që tri ministri së bashku, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës të integrohen brenda një ministrie të vetme, në këtë rast asaj për Zhvillim Ekonomik. Analiza vlerëson se punët që kryejnë këto ministri do të mund të përmblidheshin brenda një dikasteri.
Ndërkaq nëse shohim shpenzimet që ato kanë, del se buxheti i Kosovës do të kursente mjaft para me shuarjen e tyre.
Kështu, vetëm Ministria e Financave ka të punësuar 1828 të punësuar ku vetëm për paga brenda një viti shkojnë 32.8 milionë euro, ndërsa 5.1 milionë euro shpenzon në mallra dhe shërbime.
Miliona euro shpenzime ka edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Me 231 të punësuar, vetëm për paga dhe mëditje për një vit shkojnë 1.5 milionë euro, pa llogaritur këto 2.2 milionë euro shpenzime në mallra dhe shërbime.
Ministria e Infrastrukturës e vetme ka të punësuar 296 të punësuar dhe nëse merret parasysh rekomandimi i GAP-it për shuarjen e saj, buxheti i Kosovës do të kursente në vit 1.7 milionë euro për paga dhe mëditje si dhe 5.9 milionë euro tjera në mallra dhe shërbime.
E panevojshme është vlerësuar edhe Ministria e Diasporës. Punët që kryen kjo ministri shumë lehtë sipas GAP do të mund të integroheshin përbrenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe MASHT-it.
Nëse kjo do të ndodhte, buxheti i Kosovës në vit do të kursente 478 mijë euro në paga dhe mëditje sa marrin 66 të punësuar aktualisht në këtë ministrit si dhe afër 1 milionë euro nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve.
Përveç kësaj është kërkuar shuarja edhe e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, nga e cila nga buxheti do të kurseheshin 755 mijë euro vetëm për paga dhe mëditje dhe 375 mijë euro tjera nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve.
E panevojshme si ministri është edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. GAP ka kërkuar që kjo ministri të integrohet brenda Ministrisë së Administratës Publike.
Nëse kjo ndodh, atëherë buxheti i shtetit do të kursente 976 mijë euro për paga dhe mëditje për 151 të punësuarit aty dhe 254 mijë euro në mallra dhe shërbime.
Mirëpo edhe në atë kohë GAP kishte pak shpresë që kjo analizë do të gjej zbatim në praktikë nga Qeveria e re e cila pritet të formohet rishtazi. Kjo për faktin se logjika e qeverisjeve të deritashme ka qenë “shpërblimi” i militantëve partiakë nëpër pozita shtetërore. /Gazeta Fjala/Telegrafi/