Site icon Telegrafi

Ministria e Shëndetësisë del me sqarim rreth raportimeve se pati incident mes ministrit Zemaj dhe dy inspektorëve shëndetësorë

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media, ka sqaruar raportimet e sotme lidhur me një incident në këtë ministri në mes të ministrit Armend Zemaj dhe dy inspektorëve shëndetësorë.

Në sqarimin e ministrisë, thuhet se ministri Zemaj nuk i ka kërcënuar e as fyer dy inspektorët.

Madje sipas ministrisë të dy inspektorët kishin keqpërdorur kartën e identifikimit të Inspektoratit Shëndetësor, pa paralajmërim të Kabinetit nga Kryeinspektorja të cilës i përgjigjen, kanë ardhur te Kabineti i Ministrit duke e penguar në punë drejtpërdrejt Ministrin, me kërkesa për pagesë të 300 eurove, të cilat ata i kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Sqarimi i plotë pa ndërhyrje:

Ndërlidhur me pretendimet e dy inspektorëve shëndetësore për gjoja kërcënimin dhe fyerjen e tyre nga ana e Ministrit të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë shpjegon se Ministri Armend Zemaj as nuk ka pasur në agjendën e tij të punës sot takim me inspektorë shëndetësor dhe as nuk ka kërcënuar e fyer ndonjë inspektor shëndetësor.

E vërteta është se në orët e mëngjesit të ditës së sotme, derisa Ministri Zemaj po kryente punët e tij të rregullta dhe kishte palë të tjera të caktuara për takime, dy inspektorë shëndetësor (N.K. dhe B.V), duke keqpërdorur kartën e identifikimit të Inspektoratit Shëndetësor, pa paralajmërim të Kabinetit nga Kryeinspektorja të cilës i përgjigjen, kanë ardhur te Kabineti i Ministrit duke e penguar në punë drejtpërdrejt Ministrin, me kërkesa për pagesë të 300 eurove, të cilat ata i kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Duke qenë që të njëjtit nuk kanë pasur as takim të caktuar e as autorizim nga Kryeinspektorja për ta trajtuar këtë temë, Ministri nuk ka mundur t’i pres në takim për shkak se ka pasur të paracaktuara takime dhe agjendë tjetër.

Këtë shkelje të hierarkisë dhe përgjegjësive në punë dhe ndërhyrjen e tyre në punën e Ministrit, Ministri Zemaj e ka denoncuar tek Kryeinspektorja me qëllim të marrjes së masave disiplinore sipas Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor.
Për informacion të publikut, njëri prej këtyre dy inspektorëve gjatë kohës së pandemisë ka qenë i liruar nga puna për arsye shëndetësore dhe nuk ka kryer asnjë inspektim lidhur me Covid-19.

Ndërsa, sa i përket mos-përfshirjes së inspektorëve shëndetësor në shtesën prej 300 eurove, sipas Ligjit për Shëndetësisë dhe Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, Inspektorati Shëndetësor është organ administrativ i MSh-së, ndërsa inspektorët nuk janë të klasifikuar në mesin e profesionistëve shëndetësorë. /Telegrafi/

Exit mobile version