Telegrafi

Ministria e Shëndetësisë në Gaza pretendon se 25 persona janë vrarë gjatë sulmeve ajrore  izraelite në Rafah

Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se rruga për një armëpushim është “e drejtpërdrejtë”, ndërsa ndërmjetësit përgatiten të rifillojnë bisedimet në Egjipt.

“Barra ishte mbi Hamasin që të pranonte një marrëveshje për një pauzë gjashtë javore dhe lirimin e pengjeve që ishte në tryezë”, tha burimi për Reuters.

Delegacionet izraelite dhe të Hamasit pritej të mbërrinin në Kajro, thanë dy burime egjiptiane të sigurisë, por një burim tjetër i informuar mbi bisedimet tha se Izraeli nuk do të dërgonte një delegacion derisa të merrte një listë të plotë të pengjeve që janë ende gjallë.

“Rruga drejt një armëpushimi tani fjalë për fjalë në këtë orë është e drejtpërdrejtë. Dhe ka një marrëveshje në tryezë. Ka një marrëveshje kornizë. Izraelitët pak a shumë e kanë pranuar atë”, tha zyrtari amerikan.

“Për momentin, përgjegjësia është e Hamasit”, shtoi zyrtari amerikan, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër ministria e Shëndetësisë në Gazë që udhëhiqet nga Hamasi, pretendon se 25 persona janë vrarë në Rafah.

Nga ministria pretendojnë se 11 palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite, që goditën një tendë në afërsi të spitalit të Emirateve në periferi të Tel al Sultan.

Një punonjës shëndetësor është në mesin e të vrarëve, ndërsa në një sulm tjetër janë vrarë 14 anëtarë të një familje, thanë nga ministria në Gaza. /Telegrafi/