Telegrafi

Ministria e Punës paralajmëron miratimin e Ligjit gjithëpërfshirës për Aftësinë e Kufizuar

Foto: Arkiv

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet për personat me aftësi të kufizuara, pikërisht në ditën ndërkombëtare të tyre, ka folur edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Ministri Reçica ka thënë se është mirë që ne po e shënojmë këtë datë sot, por është edhe më mirë që angazhimi ynë në mbështetje të personave me aftësi të kufizuar të jetë i vazhdueshëm.

“Gjendja e tanishme e personave me aftësi të kufizuar nuk përmbush realizimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore në kushte të barabarta me të tjerët. Duhet theksuar se institucionet tona përkundër asaj që kemi bërë në mbështetje të kësaj kategorie, prapë nuk jemi aty ku ne synojmë dhe dëshirojmë”, ka thënë ministri Reçica.

Ai ka thënë se, në kuadër të programit dhe misionit të MPMS ofrohen shërbime sociale dhe të përkujdesit 24-orësh për një numër të caktuar të personave me aftësi të kufizuar.

Reçica gjithashtu ka thënë se, ndër objektivat tona kryesore është miratimi i projektligjit të ri gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuar, përmes të cilit synohet të rregullohet statusi i personave me aftësi të kufizuar, të cilët në mungesë të hapësirave ligjore në fuqi nuk kemi arritur t’i përfshimë.

Ai në fund të fjalës së tij ka thënë se shpreson shumë që ky debat do të na shërbej për të rritur angazhimin dhe përkushtimin tonë në funksion të mbështetjes së personave me aftësi të kufizuara. /Telegrafi/