Site icon Telegrafi

Ministria e Mjedisit nis projektin për kthimin e shisheve të plastikës, qelqit dhe kënaçeve

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes një komunikate ka njoftuar se është prezantuar projekti i krijimit të sistemit të kthimit të depozitave, projekt ky i cili do realizohet nga vetë ministria me përkrahjen GIZ-it gjerman.

Me këtë rast, ministri i Mjedisit, Fatmir Matoshi, ka ofruar mbështetjen për realizimin e këtij projekti i cili do të ndikojë në krijimin e një mjedisi të pastër.

“Projekti i krijimit të sistemit të kthimit të depozitave do ta fillojmë këtë vit, me përkrahjen e GIZ-it dhe po kështu kërkojmë përkrahjen e të gjithëve, në mënyrë që ta bëjmë Kosovën të pastër dhe të dëshmojmë që ne e duam shtetin tonë të ndërtuar me shumë sakrifica”, deklaroi Matoshi.

Ai tha se në këtë projekt do të përfshihet, kthimi i shisheve të plastikës, qelqit dhe kënaçet.

“Shishet e plastikes, qelqit dhe kënaçet së shpejti do të përfshihen në një sistem të kthimit të tyre, në mënyrë që të mbrohet mjedisi dhe të kemi riciklim të mbeturinave në vend”, tha ai.

Matoshi tha se ndotja e mjedisit nga plastikat është një nder problemet që ka Kosova në fushën e mjedisit.

Ndërsa, përfaqësuesit e ambasadës gjermane dhe GIZ-it kanë ofruar mbështetje për MMPH-në në realizimin e projekteve që janë parapara për mjedisin.

Në realizimin e këtij sistemi Kosova do të marrë model shtetin e Estonisë dhe Lituanisë si vende që kanë këtë sistem të avancuar të depozitave dhe njihen si shtete ekologjike.

Ministri Matoshi së bashku me sekretarin Arben Çitaku dhe këshilltarët politik janë takuar me sekretaren e parë të Ambasadës gjermane në Kosovë, Anja Becky, udhëheqësen e projektit, Alexandra Linden dhe përfaqësues të tjerë të GIZ-it gjerman. /Telegrafi/

Exit mobile version