Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani ka vizituar sot Komunën e Graçanicës, me ç’rast ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, me kryetarin e kësaj Komune, Vladeta Kostiq.
Qëllimi i marrëveshjes është realizimi i projektit “Rregullimi i Kanalizimit”. Shuma e ndarë nga Ministria për këtë projekt është 200 mijë euro.
Ministri Agani ka theksuar që ky memorandum nënkupton një ndihmë financiare për rregullimin e sistemit të kanalizimit me theks të veçantë në ndërtimin e kolektorit të gypave që menaxhojnë ujërat e zeza.
“Ky memorandum nënkupton një ndihmë financiare që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i jep Komunës së Graçanicës për rregullimin e sistemit të kanalizimit me theks të veçantë në ndërtimin e kolektorit të gypave të cilët menaxhojnë ujërat e zeza në vendbanimin e Qagllavicës por pastaj edhe pjesën e mbetur të Komunës së Gracanicës”, ka thënë Agani.
Ndër të tjera, Agani ka shtuar që ministria e mjedisit në vazhdimësi e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë adresimin e çështjeve të ndryshme mjedisore.
“Bëhet fjalë për një investim 200 mijë euro që Komuna e Gracanicës do ta menaxhojë gjatë vitit që vjen edhe ky projekt natyrisht është i përpiluar nga Komuna dhe reflekton nevojat e Komunës. Ministria e Mjedisit në vazhdimësi e ka mbështetur këtë Komunë dhe do të vazhdojë ta mbështesë në adredsimin e çështjeve të ndryshme mjedisore dhe duke pas parasysh bashkëpunimin në vitin e kaluar besoj që edhe ky projekt do të realizohet me kohë”, ka përfunduar Agani.
Ndërsa Vladeta Kostiq, Kryetar i Komunës së Gracanicës ka thënë që projekti i rregullimit të ujërave të zeza është një projekt i qëlluar dhe me shumë vlerë.
“Projekti i rregullimit të ujërave të zeza është një projekt i qëlluar dhe me shumë vlerë për komunën e Graçanicës. Për mua është një prioritet që këtë muaj të fillojë punimet dhe tenderimin e këtyre procedurave me kohë”, ka thënë Kostiq duke falënderuar Ministrin Agani për ndihmën. /Telegrafi/