Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH), ka nisur hetimet për dyshimet e ngritura të humbjes së 30 milionë eurove të buxhetit të Kosovës.
Hetimi ka filluar pas një kërkese që tre udhëheqës të divizioneve brenda kësaj ministrie i kanë bërë ministrit Ferid Agani për të shkarkuar udhëheqësin e Departamentit të Ujërave, Naser Bajraktari, shkruan sot Koha Ditore.
MMPH-ja ka formuar një grup ad hoc. Në letrën 6 faqe me akuza të adresuara ndaj Bajraktarit, pos të tjerash, theksohet se “në periudhën 6-vjeçare, gjatë ushtrimit të detyrës si udhëheqës i Departamentit të Ujërave, si rezultat i paaftësisë profesionale, neglizhencës së rëndë ose veprimeve të qëllimshme e të paligjshme, Bajrakatari i ka shkaktuar dëme mbi 30 milionë euro buxhetit të Kosovës”.
Themelimin e Grupit punues ad hoc e ka pohuar për gazetën, të martën, shefi i Zyrës për Komunikim me Publikun në kuadër të MMPH-së, Fadil Maxhuni. Ai e ka treguar edhe vendimin e Ministrisë, i cili është nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Arben Çitaku. /Telegrafi/