Ministri i Mbrojtjes, Amrend Mehaj ka njoftuar se së shpejti Ministria e Mbrojtjes do të hap konkurs për personel civil.
Mehaj ka thënë se konkursi do të jetë i hapur për 75 pozita specialistike në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Konkurset do të hapen përgjatë periudhave të ndryshme kohore, në grupe, sipas fushave specifike të kërkuara. Ushtria po rritet, e bashkë me të po ngritën dhe kapacitetet e resurseve humane”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka shtuar se Ministria e Mbrojtjes mbështet zhvillimin e FSK-së drejt një ushtrie të përgatitur në aspektin profesional dhe operacional që përmbush standardet e ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, ju njoftojmë që së shpejti Ministria e Mbrojtjes hap konkurs për personel civil në 75 pozita specialistike në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Pozitat për të cilat do të hapen konkurset janë:
- Mjek specialist
- Infermier
- Asistent i Stomatologjisë
- Biokimist
- Psikolog/Psikolog Klinik
- Teknik i Veterinarisë
- Zyrtar Ligjor
- Specialist për mbrojtje kibernetike
- Zhvillues i Sistemeve
- Specialist i mbështetjes teknike (sisteme, rrjeta)
- Menaxher i Ëeb Faqes
- Zyrtar për Mirëqenie
- Zyrtar për cilësi
- Teknik i ushqimit
- Hidroinxhinier
- Inxhinier i Ndërtimtarisë
- Zjarrfikës
- Mekanik
- Inspektues i derivateve
- Ligjërues/Instruktor i vozitjes
Konkurset do të hapen përgjatë periudhave të ndryshme kohore, në grupe, sipas fushave specifike të kërkuara.
Ushtria po rritet, e bashkë me të po ngriten dhe kapacitetet e resurseve humane.
Ministria e Mbrojtjes mbështet zhvillimin e FSK-së drejt një ushtrie të përgatitur në aspektin profesional dhe operacional që përmbush standardet e ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s.
Andaj, ftojmë të gjithë të interesuarit të aplikojnë për pozitat specialistike të cilat do të bëhen të ditura më detajisht sapo të hapet zyrtarisht konkursi.
Ju garantojmë një proces të drejtë dhe transparent! /Telegrafi/