Site icon Telegrafi

Ministria e Integrimeve pranon gabimin në tekstin e lëshuar nga takimi i ministres Hoxha me ambasadorin O’Connell

Ministria e Integrimeve Evropiane ka sqaruar opinionin lidhur me tekstin e lëshuar nga takimi i ministres Dhurata Hoxha me ambasadorin Ruairi O’Connell.

Në sqarimin dërguar thuhet se Zyra e Komunikimit dhe Informimit e ministrisë, shpreh keqardhje për versionin e kumtesës e cila kishte lëshime dhe ishte shabllon i përdorur më herët dhe i pakonfirmuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.

Ndryshe në sqarimin për media, është dërguar edhe teksti i korrigjuar nga takimi i ministres Hoxha me ambasadorin O’Connell.

Lexo po ashtu Reagon O’Connell pas takimit me ministren Hoxha: Nuk folëm për MSA-në e as për të drejtat e njeriut

Sqarimi i Ministrisë së Integrimeve:

Zyra e Komunikimit dhe Informimit e Ministrisë së Integrimit Evropian, shpreh keqardhje për versionin e kumtesës e cila kishte lëshime dhe ishte shabllon i përdorur më herët dhe i pakonfirmuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.

Kumtesa e korrigjuar:

Ministrja Hoxha falënderon Ambasadorin Ruairí O’Connell për përkrahjen në luftën kundër krimit, korrupsionit e nepotizmit

Prishtinë, 14 Gusht 2019 – Ministrja në detyrë e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim ambasadorin në largim të Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e deritanishëm, të cilin Ministrja e vlerësoi lartë dhe shumë të dobishëm.

Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadorin O’Connell për përkrahjen në luftën kundër krimit, korrupsionit, e nepotizmit, duke potencuar se miqësia dhe përkrahja e Mbretërisë së Bashkuar, është vlerë e qytetarëve dhe shtetësisë së Kosovës.

“Kontributi i Mbretërisë së Bashkuar dhe diplomacisë së saj, zë vend të jashtëzakonshëm në historinë e re të vendit tonë, andaj, vlerat e kësaj miqësie, vetëm sa rriten. Përkrahja e vazhdueshme që vije nga ky vend i madh, ka rëndësi të veçantë për Kosovën dhe qytetarët e saj, andaj, edhe puna juaj, z. Ambasador, do vlerësuar lartë dhe e çmojmë shumë”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar fuqishëm pranë sfidave të shtetndërtimit të institucioneve tona.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, vlerësoi që Kosova është në një udhëkryq dhe duhet të ndërmerren hapa për të ecur përpara. Luftimi i korrupsionit dhe nepotizmit mbetet i rëndësishëm, si dhe nxitja e një kulture të proceseve transparente të rekrutimit brenda shërbimit civil. /Telegrafi/

Exit mobile version