Site icon Telegrafi

Ministria e Inovacionit dhe Banka Botërore me programe për fuqizimin e të rinjve dhe grave

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj në kuadër të vizitës dhe takimeve të shumta në SHBA, në zyrat qendrore të Bankës Botërore është takuar me Paulo Correa Drejtor i Departamentit të Financave, Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, si dhe me Mario Guadamillas Drejtor i Departamentit për Konkurrueshmëri dhe Praktika Ndërkombëtare të Inovacionit.

Pas këtij takimi Ministri Beqaj ka thënë se Banka Botërore është e përkushtuar për të ofruar asistencë teknike për Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, duke shfrytëzuar kapacitetet dhe përvojën e shumtë që ka në rajon dhe më gjerë.

Beqaj ka theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë me Bankën Botërore në zhvillimin e programe të përbashkëta me qëllim të përkrahjes së të rinjve dhe grave, si dhe më qëllim të rritjes ekonomike të Kosovës dhe krijimin e mundësive për hapjen e vendeve të reja të punës.
“Gjithashtu u akorduam për zhvillimin e programeve të përbashkëta për fuqizimin e të rinjve, grave dhe sektorin privat në përgjithësi. Do të gjejmë mënyra për krijimin e fondeve të përbashkëta”, tha Beqaj. /Telegrafi/

Exit mobile version