Edhe sot janë duke vazhduar reshjet e borës në Kosovë, ku sipas Ministrisë së Infrastrukturës të gjitha rrugët janë të kalueshme.
Mirëpo, në një video të dërguar nga një lexues i Telegrafit, shihet se në autostradën “Ibrahim Rugova” ka vështirësi në qarkullim, pasi që nuk është e pastruar.
“Borë e madhe, autostrada [Ibrahim Rugova] e papastruar”, thekson lexuesi.
Sipas MI-së, gjendja e rrugëve në tërësi është e mirë.
“Të gjitha rrugët janë të qarkullueshme për automjete. Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga MI-ja gjatë tërë kohës punojnë në pastrimin e rrugëve si dhe hedhje kripe në rrugë”, ka theksuar për Telegrafin shefi i Departamentit të Mirëmbajtjes së Rrugëve, Gëzim Osmani.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se do të mbajë mot i ndryshueshëm.
IHK njofton se kjo situatë meteorologjike do të mundësohet si pasojë e masave të ajrit me presion relativisht të ulët atmosferike.
Të martën vranësirat e dendura që do ta përfshijnë vendin do të krijojnë kushte për reshje bore. /Telegrafi/